Shkrimtarja Flutura Açka ka publikuar në një status në rrjetet sociale amanetin e Robert Elsie. Albanologu i shquar ndërroi jetë sot në moshën 67-vjeçare.
Përmes rrjetit të saj social, Açka i drejtohet Kryeministrit Rama edhe ministres së Kulturës, Kumbaro, duke thënë se Elsie, ishte i huaji që i kushtoi jetën shqiptarëve.
Statusi i Açkës:
Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri!
Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.
Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare.
Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare.
Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme.
Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi.
Kultura shqiptare është sot në zi.
Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.
Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!























