Sali Berisha ka “shpërthyer” në grupin parlamentar të PD. Votat demokrate pro Gramoz Ruçit e kanë tërbuar.
“Kam dalë me kokën ulur. Jam ndjerë i fyer dhe i lënduar”,- është shprehur Berisha, sipas burimeve nga PD-ë.
Lumi i pakënaqësisë ra mbi kryetarin Basha.
Ai deri tani nuk ka bërë as ndonjë reagim zyrtar për çfarë ndodhi me votat e demokratëve mbrëmë. Dy ose tre prej tyre i dhanë votat Gramoz Ruçit, “pinjollit të fundit të komunizmit” e quante Basha mbrëmë para ish–të përndjekurve që protestonin në kohën kur brenda socialistët duartrokisnin edhe votat e demokratëve.
Berisha nuk ka kursyer edhe deputetë që folën në emër të grupit për vjedhje të votave.
Përgjegjësi për çfarë ndodhi kanë kërkuar edhe deputetë dhe aleatë të PD.
“U tha që i ka blerë Gramozi. Unë s’e di kush janë, se po ta dija do ua thoja. Por ju si kryesi grupi ndaj jeni, që të bëni aritmetikë dhe të llogarisni çdo gjë”,- është shprehur Vali Duka, e para e listës së Korçës.
Mësohet se, edhe Dashamir Shehu i është drejtuar Bashës si përgjegjës.
“Është përgjegjësia jote që të gjesh kush e ka bërë, se nëpër facebook ke nxjerrë njerëz që na akuzojnë ne”.
Dy deputetë të PD, Gent Strazimir dhe Grida Duma, nxituan mbrëmë të akuzojnë PS se i vodhi votat.
Por edhe ky variant nuk i shërbeu Bashës. Si rrallë ndonjëherë, ai ka parë të ketë kundër në grupin parlamentar, Sali Berishën, mbështetësin e tij në çdo rrethanë, deri më sot.
Rreplikat me Salianjin:
Berisha: Kush e bëri na futi thikën mbrapa. Nuk duhet ta falim atë që e bëri. Ata që e bënë duhet ta dinë që ne e dënojmë. Na duhen prova për të qenë serioz. Të kërkojmë prova nga komisioni se nuk na shërben të mbajmë qëndrim në fallsitet. Se nuk jemi vetëm, janë populli që na gjykon. Nuk mund të gjejmë pretekst që t’i hedhim hi syve.
Salianji: Unë bindem vetë…
Berisha duke ju drejtuar Salianjit
“Asnjë nga ju pa mbledhje grupi nuk mund të prononcoheshit. Grupi është grup. Të pranoj unë se je ti i bindur për gabim s’e pranoj. Unë kam bindjen që aty është tradheti. Nuk ngushëlloj mbështetesin me një mashtrim. Kush del në emër të grupit, merr miratimin e grupit nuk del vetë. Këta nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarata në emër të grupit.
Më vjen keq Ervin po këtu sjam dakord. Kjo që thua ti nuk ka ndodhur në 27 vjet, manipulimi i komisionit. Ndërkohë që kjo që themi ne, shitblerja e deputetëve ka ndodhur. Ky ka hyrë në parlament rishtar dhe nuk e di. Në 27 vjet ka 50 raste shitje. Kurse kjo e jotja nuk ka ndodhur kurrë”.






















