“Ne u lamë në baltë nga demokratët dhe pak republikanë. Pjesa më e madhe e republikanëve ishin besnikë të mrekullueshëm dhe punuan shumë. Ne do të rikthehemi”, shkruante Trump në Twitter mëngjesin e të martës.
“Siç kam thënë gjithnjë fillimisht të rrëzojmë Obamacare dhe më pas të mblidhemi e të hartojmë një plan të madh për kujdesin shëndetësor. Qëndroni në pritje…”shtoi ai.
Të hënën, edhe dy senatorë të tjerë republikanë u shprehën kundër alternativës së partisë së tyre ndaj asaj që njihet si Obamacare duke e bërë të pamundur miratimin e projektligjit në formën aktuale.
Mike Lee dhe Jerry Moran thanë se legjislacioni i ri nuk shkon aq larg sa duhet në zëvendësimin e sistemit ekzistues shëndetësor. Republikanët kanë qenë të përçarë sa i përket çeshtjes, me shqetesime te moderuara lidhur me efektet që do të ketë lëvizja tek personat më të cënueshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump e ktheu zëvendësimin e Obamacare në premtimin kyç të fushatës së tij elektorale. Me dy kundërshtarët e rinj, republikanët që kanë 52 vende në senat nuk do të kenë më votat e mjaftueshme për miratimin e projektligjit në senatin me 100 anëtarë.
Demokratët, ndërkohë kanë bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojnë për zëvendësimin e Obamacare, por se mund të angazhohen për përmirësimin e tij.






















