Në kundërshtimin e aktakuzës ndaj klientit të tij, që ka bërë avokati Gazmend Nushi, kërkohet nga gjykata që të hedhet poshtë aktakuza ndaj doktorit Visar Nushi për shkak se sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se ekzistojnë rrethana tjera që pengojnë ndjekjen.
Gjithnjë sipas avokatit, provat e prezantuara nga Prokuroria vërtetojnë faktin se i akuzuari e ka bërë trajtimin e të dëmtuarës sipas dy metodave shkencore, siç janë terapia fizikale dhe vendosja e korsetit përkatës.
“Të dy metodat e lartpërmendura janë metoda brenda dispozitave dhe rregullave apo standardeve mjekësore dhe se prokuroria nuk ka prezantuar asnjë provë se përdorimi i ndonjërës prej këtyre metodave paraqet veprim në kundërshtim të këtyre rregullave”, thuhet në parashtresën e avokatit Gazmend Nushi.
Tutje, ai thotë se pikërisht në raportin e ekspertit gjerman Mathias Hovel, konstatohet se aplikimi i metodave mjekësore nga ana e të akuzuarit, respektivisht udhëzimi i tij për vendosjen e korsetit përkatës ka rezultuar “mahnitshëm për të mirë”.
Po ashtu, edhe në ekspertizën vendore, sipas avokatit, është dhënë mendimi se trajtimi mjekësor është bërë konform standardeve dhe protokoleve të aplikueshme në botë.
Avokati po ashtu duke u thirrur në ekspertizën ndërkombëtare thotë se doktori nuk ka mundur t’ia shkaktoj lëndimin të miturës pasi tek ajo deformiteti i boshtit kurrizor është vërejtur nga prindërit qysh në moshën 9 vjeçare. Kështu, avokati Nushi pretendon se këtu vihet në pyetje edhe faktori trashëgues.
Gazmend Nushi, avokat i doktor Visar Nushit, në kundërshtimin e tij ka përmendur edhe për “shkeljet” e prokurorisë gjatë pezullimit të hetimeve.
“Pezullimi i procedurës hetimore nga ana e prokurorisë nuk është asgjë tjetër pos keqpërdorim i autorizimeve nga ana e prokurorisë me të cilën ka tentuar ta fsheh dhe arsyeton neglizhencën e saj në punë”, thuhet në parashtresën e avokatit që e posedon rtklive.com.
Por, gjykata pas shikimit të shkresave, sipas aktvendimit të siguruar nga rtklive.com, të nënshkruar nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, konstatoi se duhet refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të cekura nga avokati Gazmend Nushi.
Sipas gjykatës, provat e avokatit të Dr. Nushit nuk janë argumentuar nga kushtet e parapara dhe dispozitat ligjore.
“Provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale”, thuhet në aktvendimin e gjyqtarit Kujtim Krasniqi.
Sa i përket pretendimit të paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit se ekzistojnë rrethana tjera që pengojnë ndjekjen duke u thirrur në jo relevancën e provës së marrë përmes ekspertizës, gjykata vlerëson se pretendimi i tillë nuk qëndron, pasi një provë e tillë është e rëndësishme për trajtimin e këtij rasti.
Sa i përket provave tjera si “të pambështetura dhe të parëndësishme”, vlerësimi i gjykatës është se ato duhet të shoshiten në seanca gjyqësore.
Po ashtu, gjyakata ka vlerësuar se pezullimi i hetimeve nga ana e prokurorisë ishte bërë me arsye për sigurimin e provës më të rëndësishme për trajtimin e mëtejmë të këtij rasti ku ka qenë e nevojshme të priten procedurat deri në ekspertizën ndërkombëtare.
Gjykata Themelore megjithatë, i ka dhënë mundësi mbrojtjes së doktor Nushit që në lidhje me aktvendimin e gjykatës, të ankohet në shkallën më të lartë gjyqësore.























