Trump Jr. publikoi disa emaile këtë javë, të cilat tregojnë se ai ka pranuar një ofertë për të takuar Natalya Veselnitskayan, për të cilën i është thënë se është avokate e Qeverisë ruse dhe posedon material dëmtues për ish-kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Duke folur në një intervistë për agjencinë Reuters, presidenti Trump tha se nuk e fajëson djalin e tij.
“Mendoj se shumë njerëz do ta mbanin një takim të tillë”, tha Trump.
Emailet e Trump Jr. janë prova më konkrete deri më tani që tregon se zyrtarët e fushatës Trump mund të kenë qenë të gatshëm të pranojnë ndihmën ruse për t’i fituar zgjedhjet e vitit të kaluar.
Takimi i Trump Jr. ka ngritur dyshime nëse ai ka shkelur një ligj të SHBA-së, i cili i ndalon kandidatët të pranojë përfitime nga një qeveri e huaj.























