Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai thotë se në kuadër të planit të Qeverisë për përshpejtimin e proceseve integruese, në pjesën që ka të bëjë me mediat janë inkorporuar dhe vërejtjet e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe një pjesë të ekspertëve mediatik.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë,Naser Selmani, thotë se reformat në media duhet fillojnë me sigurinë e gazetarëve.
“Ajo që duhet bërë urgjentisht është zgjidhja e çështjes së sigurisë së gazetarëve. Njëkohësisht presim që Qeveria e re e Maqedonisë të gjykojë ashpër çdo lloj dhune të ushtruar ndaj gazetarëve”.
“Kjo do të paraqesë një porosi të qartë deri te të gjithë, se Qeveria e re nuk do t’i lejojë sulmet ndaj gazetarëve, sepse çdo sulm ndaj gazetarëve paraqet sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thotë Selmani.
Në kuadër të dokumentit të hartuar nga punonjësit e mediave drejtuar Qeverisë së Maqedonisë, me të cilin kërkohen reforma sistemore në lëmin e medieve është theksuar nevoja e transparencës së institucioneve si dhe përforcimi i kapaciteteve për gazetari hulumtuese.
Zhaneta Trajkoska nga Instituti i Medieve në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se ka shumë punë për t’u bërë në drejtim çlirimit të medieve nga influenca e politikës, Plani i qeverisë 3-6-9 paraqet një bazament të mirë për realizimin e reformave .
“Ajo që është thelbësore për realizimin reformave me sukses është që ky proces të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Nuk duhet të shpejtohet me zgjidhjen e këtij problemi, edhe pse nga çështja e medieve varet nga shumë procese që kanë të bëjnë me demokratizimin e shtetit”.
“Zgjidhjet nuk duhet të kopjohen nga vendet e zhvilluara, sepse zgjidhjet e gatshme nga jashtë, nuk funksionojnë si modele edhe në Maqedoni, meqë realiteti ynë këtu është i ndryshëm. Pra, zgjidhjet duhet të jenë thelbësore dhe analitike”, thotë Trajkovska.
Ndërkaq, Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Komunikimit dhe Medieve në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, si më akut fokuson fillimin e procesit të reformave në disa institucione themelore në fushën e medieve, që ka të bëjë me departizimin dhe depolitizimin e e tyre, duke filluar nga Shërbimi Radiodifuziv.
“Vlerësoj se duhet të bëhet depolitizimi dhe departizimi i Agjencisë së Mediave, me atë që anëtarët e këshillit të Agjencisë së Medieve, si organ rregullator i medieve, duhet të zgjidhen përmes konkursit publik. Gjithashtu vlerësoj se është me shumë rëndësi të arrihet departizimi apo depolitizimi i medieve komerciale”.
“Heqja e reklamave qeveritare apo reklamave që financohen nga shteti në emër të interesit publik, është një sinjal i mirë se nuk do të kemi më lidhshmërinë e fuqishme mes pushtetit dhe medieve, por edhe biznesit, sepse në Maqedoni një pjesë e madhe e medieve udhëhiqen nga pronarë të bizneseve të mëdha që kanë lidhje të forta me partitë politike, madje disa prej tyre janë dhe kryeurë të partive politike që participonin në qeverinë e kaluar”, thotë Tahiri.
Ndryshe, gjatë së premtes, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se me rebalancin e buxhetit do të shkurtohen mjetet e parapara nga buxheti i shtetit për reklamimin e politikave të ndryshme të Qeverisë brenda dhe jashtë vendit.
Punonjësit e medieve kanë theksuar se me këtë vendim qeveria e Maqedonisë përçon një porosi të qartë, se duke u shndërruar në një makineri propaganduese të qeverisë, mund të jenë të sigurt sa i përket financave, duke pasur qasje në mjetet e arkës së shtetit.






















