Sot pritet që në Gjykatën Themelore në Prishtinë të zhvillohet seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj dy personave që u arrestuan dje në afërsi të Podujevës nga Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës.
Prokurori i kësaj çështjeje është Danilo Cecarelli, ndërsa seanca do të nisë së shpejti.
Prokuroria Speciale e Kosovës lëshoi dje një komunikatë në të cilën sqaroi se dje në aksionin e Policisë së Misionit Europian për Sundim të Ligjit dhe asaj të Kosovës u arrestuan dy persona të dyshuar për vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut në vitin 2004.
Prokuroria në komunikatë bëri të ditur se në lidhje me këtë vrasje pritet ekstradimi i një personi tjetër, ndërsa janë në kërkim edhe disa njerëz të tjerë.
Për aksionin e mbrëmshëm folën edh zyrtarë të EULEX-it që mohuan se ai ndërlidhet me veprimet e pritshme të Gjykatës Speciale.






















