Ky lajm vjen pas një kërcnimi që bëri Moska gjatë kësaj jave se do të ndalte linjën e komunikimeve, pasi një aeroplan amerikan kishte rrëzuar një aeroplan luftarak sirian.
“Linja e komunikimit është e hapur dhe jemi duke e përdorur”, ka thënë koloneli, Ryan Dillon, zëdhënës i koalicionit të forcave ushtarake që përkrahen nga SHBA-ja, me bazë në Bagdad.
Këto forca e luftojnë Shtetin Islamik në Siri dhe Irak.
Pavarësisht paralajmërimeve që ka bërë Rusia për ndërprerje të kontakteve, zyrtarët amerikanë kanë thënë se rusët e kanë njoftuar ushtrinë amerikane për operacionet e tyre kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Ky hap mund të shihet si tregues drejt një përmirësimi të mundshëm të raporteve të tensionuara në mes të SHBA-së dhe Rusisë.























