Përmes një statusi në rrjetet sociale, Edi Rama kërkoi ndjesë për zhurmën e krijuar nga thirrja për punonjësit e policisë.
“Nuk ishte aspak qëllimi im, çka thonë keqdashësit. Por gabimi mbetet imi!”, shkruan ai.
Të shumta ishin reagimet në faqen e tij të Facebook, disa duke e mirëkuptuar për faktin se edhe policët pas detyrës janë qytetarë të lirë me bindjet e tyre politike, disa e quajnë gabim këtë thirrje, ndërsa ka nga ata që thonë se fushata është intensive, por mirëpresin ndjesën e Kryeministrit.
Por Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të zgjedhur ishte i drejtpërdrejtë në akuza ndaj aleatit të tij. Edi Ramën ai e cilësoi të papërgjegjshëm për këtë deklaratë, ndërsa kritikat nuk i kurseu edhe për kreun e Policisë së Shtetit.
“Dua të dënoj heshtjen e Drejtorit të Policisë së Shtetit, që s’më habit aspak për këtë deklaratë që shkel ligjin për Policinë e Shtetit dhe është thirrje e hapur për përdorimin e policisë në zgjedhje”, tha ai.
Ilir Meta ka një përgjigje të drejtpërdrejtë për socialistët, edhe për mundësine shkarkimit të tij si President i zgjedhur.
“Nuk ka shanse Rilindja që të shkarkojë Ilir Metën, asnjë shans”, tha ai.























