Dëshmitari Bllata kishte dhënë dëshmi edhe më herët për këtë rast, prandaj mbeti në tërësi pranë deklaratës së dhënë më herët para trupit gjykues dhe u mor në pyetje për disa detaje të tjera.
Bllata deklaroi se kishte shkuar për të vizituar Besim Istrefin, pasi që ishte shtruar në spital.
Sipas tij, ai takim kishte zgjatur 1-2 minuta, pasi që Istrefi nuk kishte mundur të flasë.
Pas këtyre fjalëve, dëshmitarin e ballafaqoi i akuzuari Saraçi, i cili e pyeti se a kishte marrë leje për vizitë, pasi që sipas të njëjtit nuk lejohet që një person në cilësinë e dëshmitarit ta vizitojë të akuzuarin.
Dëshmitari tha “jo nuk kam marrë leje, pasi që nuk e kam ditë se duhet, por policia e cila gjendej tek dera e hymjes nuk më ka pyetur se a ka leje ose a je dëshmitar i rastit”.
Në pyetjen e Besim Istrefit se a i kujtohet se a ka qenë i kërcënuar në natën kritike nga Jeton Saraçi, dëshmitari tha: “kur kam qenë tu i çu karrikat më ka thënë ‘ule atë karrikë se vi të boj llom ose ta prishi ftyrën’ nuk më kujtohet”.
Pas dëshmitarit Bllata, i ftuar në gjykatore ishte eksperti i balistikës, Lutfi Racaj.
Racaj kishte marrë pjesë në përbërje të ekipit të balistikës në cilësi të asistencës teknike të ekspertëve.
Në pyetjen e të akuzuarit Besim Istrefi: “janë gjetur 24 gëzhoja dhe janë shkrepur 24 predha, janë përafërsisht 37-38 vrima, a është e mundur që prej këtyre 24 predhave me qenë këto vrima?”, eksperti u përgjigj “logjikisht duhet me qenë 24 vrima”.
Pas përfundimit së marrjes në pyetje të dëshmitarëve, të gjithë mbrojtësit kërkuan zëvendësimin e masës së paraburgimit në atë me arrest shtëpiak, por kjo kërkesë nuk u aprovua nga trupi gjykues.
Kur u pyet prokurorja e rastit, Merrushe Llugiqi, lidhur me çështjen e paraburgimit, e njëjta u përgjigj “e di se është rast i ndjeshëm, sa i përket të akuzuarit Jeton Saraçi, e di se ka qenë në arrati, megjithatë ia lë trupit gjykues të vendos”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10.03.2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim e Besart Istrefit për vrasje të rëndë.
Besartin prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale armëmbajtje pa leje.
Në këtë proces i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi.






















