Arben Manaj
Mësohet se disa qindra azilkërkues shqiptarë gay dhe lesbikë, apo njerëz të trafikuar e viktima të dhunës në familje, që kanë kërkuar strehim në Britaninë e Madhe, mund të jenë rikthyer gabimisht në Shqipëri, pasi kërkesat e tyre për azil janë refuzuar mbi kritere të vjetëruara për rastet e tyre, edhe pse ka ekzistuar një vendim i Gjykatës britanike të Apelit pro kësaj kategorie azilkërkuesish.
Një numër i konsiderueshëm azilkërkuesish nga Shqipëria kanë kërkuar azil për shkak të orientimit të tyre seksual dhe si viktima të trafikimit apo dhunës në familje, ku jo pak kanë fituar rastet e azilit, ashtu si edhe shumë të tjerëve u është refuzuar kërkesa, por me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit u shtohen shpresat atyre që janë ende në Britani, ose atyre që do të kërkojnë këtej e tutje azil, në varësi të vërtetësisë së rasteve individuale.
Sipas avokatëve që çuan këtë rast në Gjykaten britanike të Apelit, kurrë më parë nuk ka ndodhur një praktikë e tillë e injorimit të vendimit të Gjykatës se Apelit. Ndërkohë, një zëdhënës i organizatës së bamirësisë “Asylum Aid” tha se “është alarmante që ‘Home Office’ ose Ministria e Emigracionit ka marrë vendime kaq të rëndësishme për jetën e azilkërkuesve, duke përdorur informacione të pasakta”. Këto gabime u parashtruan në një vendim të ri të Gjykatës së Apelit, ditën e martë në Londër, njofton prestigjiozja “The Guardian”.
Pavarësisht këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, gjykatat britanike të emigracionit vazhduan të aplikonin kriteret e vjetra në vendimmarrjet e tyre, që nga 2011 e deri më sot, për rastet e azilit për këtë kategori azilkërkuesish. Topchannel























