Në çdo vikend në rrugët dytësore të kryeqytetit dëgjohet një zë blerësi “hekura – hekura”. Blerësit që kryesisht janë të komunitetit romë blejnë gjësende të hekurta për pak para me një kamion të vogël.
Ligjërisht, qytetarët e Prishtinës nuk kanë asnjë vend ku të hedhin mbetjet interne, si hekurishtet, ndonjë kafshë të ngordhur, orenditë e drurit shtëpiake, apo mbetjet ndërtimore. Çdo hedhje është e kundërligjshme.
Të gjitha këto mbetje hIdhen në kontejnerin më të afërt, ose në ndonjë qoshe të ndonjë lagjeje apo vendi më pak të banuar, shkruan lajmi.net.
Me mbeturinat e kontejnerëve në Prishtinë, menaxhon Kompania Regjionale “Pastrimi” dhe të njëjtat i dërgon në Deponinë Sanitare në Mirash. Kjo deponi është e destinuar vetëm për mbetjet e amvisërisë, jo edhe inerte.
Arbnore Ademi, zëdhënëse në KRM “Pastrimi”, ka thënë se mbeturinat inerte Kompania “Pastrimi”, i dërgon në Deponinë Sanitare në Mirash, pasi që nuk ka ndonjë lokacion të caktuar për këtë lloj të mbeturinave.
“Vetëm në vitin 2016 Kompania “Pastrimi”, ka mbledhur 1101.84 ton mbeturina të materialit ndërtimor, edhe pse nuk menaxhon me këtë lloj te mbeturinave”, tha për lajmi.net zëdhënësja e KRM “Pasrtrimi”.
Ademi tha se trajtimi apo menaxhimi i mbeturinave inerte është përgjegjësi e Komunës, në këtë rast e Komunës së Prishtinës dhe se kjo, sipas saj, është e rregulluar edhe me ligjin për mbeturina dhe me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave që komuna të caktojë lokacionin për trajtimin e Mbeturinave Inerte.
“Kompania ‘Pastrimi’ kryen këtë shërbim pa asnjë lloj kompenzimi nga Komuna e Prishtinës, pasi që është e pa mundur të largohen mbeturinat e amvisërisë nga kontejnerët sepse qytetarët vendosin mbeturinat inerte tek kontejnerët e Kompanisë “Pastrimi”, dhe normalisht së pari duhet të largohen këto mbeturina pastaj të bëhet shërbimi i zbrazjes së kontejnerëve”, tha Ademi.
Kohë pas kohë, edhe Komuna e Prishtinës angazhon kompani të caktuara për heqjen e këtyre lloje të mbeturinave, të cilat po ashtu në mënyrë të kundërligjshme dërgohen në Deponinë Sanitare në Mirash.






















