Incidentin e shkaktuar nga Mehmeti me pasoja të lëndimeve për qytetarin, e ka bërë të ditur Policia javën e kaluar në raportin e incidenteve.
Por, kryeshefi i IPK-së ka mohuar se ka qenë duke ngarë veturën me shpejtësi dhe se ka lënduar ndonjë pjesëmarrës në trafik.
Ka thënë se ka qenë duke ecur ngadalë. Version krejtësisht të kundërt ka dhënë Policia.
“Raportohet se i dyshuari mashkull, kryeinspektor i IPK-së duke lëvizur me veturën e VW ‘Taureg’ me targa 01.379-Cd, pronë e IPK-së nga pakujdesia dhe mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës ka goditur veturën VW kombi që drejtohej nga viktima mashkull. Si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Podujevës për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë të datës 21 prill të këtij viti.
I kontaktuar nga Insajderi, Hilmi Mehmeti ka thënë se askush nuk është lënduar në aksident.
“Kem nejt nja gjysmë ore sa ka përfunduar procedurat Policia ma shumë nuk di. Ka qenë vetëm vozitësi (i kombibusit v.j.). Unë isha lidhur. I thash pse more nuk je lidh? E kam pyet a je lindu. Më ka thënë jo. Ma shumë nuk di, po nuk ka pas të lënduar në këtë aksident.”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka mohuar se ka qenë duke ngarë veturën me shpejtësi.
“Aksidenti në shpejtësi të madhe nuk ka qenë por udha për Podujevë është duke u punuar dhe i kanë heqë disa kufizime që kanë qenë në lëvizje të automjeteve. Ai (shoferi i kombibusit v.j.) nuk e di a ka shpejt, po unë jom kanë kadale”, ka thënë Mehmeti.





















