“Në rrethrrotullimin e Shqiponjës dhe në kryqëzimin e Teknologjikut në Tiranë, në rrethrrotullimin e Plugut, në rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit në Milot, në rrethrrotullimin e Bradasheshit e kudo do të jenë qytetarët e veriut, jugut, lindjes, perëndimit dhe të gjithë Shqipërisë”, shkroi dje në Facebook kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ndodhet me protestuesit në sheshin “Shqiponja”.
“Asnjë lule nuk do të dëmtohet, asnjë gjë nuk do të thyhet. Trafiku do të bllokohet për një orë, por trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korrupsionit do të marrin fund një herë e mirë. Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe ne jemi njerëz të kurajos qytetare”, shtoi Basha.
Deputeti demokrat Flamur Noka tha se bëhet fjalë për “një protestë paqësore dhe për tu marrë shembull”.
“Dua të theksoj se protestat e opozitës së dikurshme që drejtonte zoti Edi Rama, nuk kishin asnjë lidhje me këto protesta të PD-së. Kanë djegur dhe shkatërruar gjithçka”, tha Noka.
Kur u pyet për kostot që ka kjo protestë për qytetarët, Noka deklaroi: “Kjo protestë nuk ka kosto. Për qytetarët ka kosto krimi dhe papunësia. Protestat e opozitës janë për t’i dhënë frymë qytetarisë në këtë vend”.






















