Në ceremoninë e dorëzimit të letrave tek presidentja e Maltës, Shkëlqesia e saj, Marie-Louise Coleiro Preca, ambasadorja Lama foli për raportet e ngushta që Kosova ka me shtetin e Maltës dhe e falënderoi presidenten për mbështetjen që shteti i saj po i jep Kosovës në rrugën e integrimit Europian si dhe në procese të tjera.
Presidentja e Maltës gjithashtu foli për miqësinë që kanë ndërtuar me shtetin e ri të Kosovës në vitet e fundit, për shkëmbimin e vizitave të nivelit shumë të lartë mes dy shteteve si dhe për nevojën e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera si ekonomia, dhe kultura. Nga ana e saj ambasadorja Lama e siguroi presidenten se do të intensifikohet bashkëpunimi dhe shkëmbimet tregrtare dhe kulturore në të ardhmen.
Ndërsa në pritjen e organizuar nga presidentja e Maltës për ambasadorët e akredituar në këtë vend, Ambasadorja Lama foli për rëndësinë e vendosjes së paqes në Kosovë dhe ndikimit të saj në rajon dhe për vullnetin e Kosovës për të pasur raporte të mira më të gjithë fqinjët. Ambasadorja tha përfaqësuesit e Kosovës i janë shumë mirënjohëse Maltës për rolin e saj proaktiv në BE, në raport me Kosovën.
Më pas ambasadorja Lama u takua me kryetarin e parlamentit maltez, Anglu Farruguia të cilin e ftoi për një vizitë në Kosovë dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.
Po ashtu gjatë vizitës së saj në Valleta, ambasadorja Lama u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës dr. George Ë.Vella, me të cilin u diskutuan mbështetja e Kosovës në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare dhe çështje të tjera bilaterale.
Edhe në takimet me zyrtarë të tjerë të lartë të maltës , Ambasadorja Lama bisedoi në lidhje me mundësi të bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet dy shteteve.






















