Nga Kosharja presidenti Thaçi ka ripërsëritur se Kosova është shumë afër të krijimit të ushtrisë së saj.
“Në këto dy dekada Kosova ka pasur procese shumë të rëndësishme. Themelimin e UÇK-së, formimin e TMK-së, shpalljen e pavarësisë, më pas formimin e Forcave të Sigurisë. Ndërsa tani është shumë afër krijimit të ushtrisë së saj. Në ditët, javët apo muajt në vazhdim ushtria e Kosovës do të themelohet. Kjo është e sigurt. Kosova do të ketë ushtrinë e saj, do të ruaj partneritetin me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë. Kosova do të ketë ushtrinë si të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Tutje, ai ka folur edhe për betejën e Koshares. Thaçi ka thënë se në Koshare për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
“Drejtësia e kauzës dhe forca morale që lufton për të drejtën e tij është me madhe se çdo ushtri. Për herë të parë këtu u thye kufiri Shqipëri-Kosovë. Beteja e Koshares ishte e të gjithëve. Operacioni ‘Shigjeta” dhe beteja e Koshares ishte triumf politiko-ushtarak. Ai ishte mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova se së shpejti ata do të ktheheshin në vatrat e tyre”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti ka treguar se përmes zonës së çliruar në Koshare, ishte mundësuar hyrja më e lehtë e ndihmave humanitare për qytetarët në Kosovë. Ai ka kujtuar edhe heronjtë e rënë në këtë betejë.
“Operacioni “Shigjeta” kishte edhe misionin e bashkërendimit me forcat e NATO-s, për të treguar vendndodhjen e forcave serbe. Lufta që u zhvillua në Koshare dhe Pashtrik, kanë përmasën e madhe të sakrificës. Ushtarë ët stëvitur në bazat e UCK-së, me vullnet dhe trimëri kishin luftuar kundër ushtrisë serbe. Shumë prej tyre sakrifikuan jetën e tyre. Sot dhe përgjithmonë do ti kujtojmë ata që ranë në altarin e lirisë. Si komandatët Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemal Fetahu, Abaz Thaçi etj”, ka thënë presidenti.
Ndërkohë, ai ka kujtuar edhe kohën kur së bashku me Shkëlzen dhe Luan Haradinajn e kishin kaluar shumë herë kufirin. “Ndihem mirë që kam kaluar me dhjetëra herë këtej së bashku me bashkëluftëtarët Shkëlzen dhe Luan Haradinaj”, ka thënë presidenti Thaçi.






















