Me rastin e kontrollimit të kamerave kurth të vendosura kohë më parë në afërsi të Rezervatiti të Kozhnjerit, është konstatuar prezenca e Rrëqebullit Ballkanik në zonë në të cilën edhe para 2 muajve është konstatuar prezenca e tij si dhe llojeve me të cilat ushqehet ky lloj i rrallë e që janë: Lepuri (Lepus europaeus), Kaprolli (Capreolus capreolus), mandej llojet tjera si Derri i egër (Sus scrofa), vjedulla (Meles meles) etj. Zona e Kozhnjerit tani më llogaritet një strehë e shumë kafshëve të egra e ndër to edhe e Rrëqebullit të Ballkanit, si lloj i rrallë dhe i rrezikuar në mënyrë kritike si në vend ashtu edhe në nivel global, thuhet në njoftimin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës
Disa kamera të tilla janë vendosur tash e sa kohë në pjesë të ndryshme të Parqeve Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, me të vetmin qëllim të monitorimit të gjendjes së faunës dhe pranisë së llojeve të ndryshme të shtazëve të egra.
Rrëqebulli i Ballkanit është një lloj kyç për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe ekosistemeve në të gjithë Ballkanin jugperëndimor. Popullata totale e tij llogaritet të jetë në më pak se 40 individë. Sipas kritereve të Listës së Kuqe të IUCN-s, Rrëqebulli i Ballkanit konsiderohet si një lloj i rrezikuar në mënyre kritike (CR). Edhe tek ne ky lloj është i mbrojtur me Ligj.
























