Tensioni në këtë subjekt ka filluar pasi Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë zyrtarizmin e ish-ministrit të shkarkuar serb, Aleksandër Jabllanoviq, në krye të Listës Serbe. Nominim ky që po kundërshtohet fuqishëm nga deputetët serbë në Kosovë. I tërë ky revoltim i Listës Serbe nga skena politike vendore po shihet si reflektim paszgjedhor në Serbi. Derisa ka të tillë që mendojnë se “teket“ e këtij subjekti gjithmonë kanë qenë goditëse për Kosovën dhe gjithashtu do të jenë edhe kësaj radhe.
Në anën tjetër analistët duke i parë sjelljet e këtij subjekti si normale besojnë se veprimet e tyre janë personale dhe përveç ndikimit përçarës brenda institucional s’do të kenë fare ndikim në serbët e Kosovës. Takimi i thirrur urgjent nga ish-shefi i Listës Serbe, Slavco Simiq, përfundoi me kanosje verbale. Kjo pasi që deputeti Sllobodan Petroviq sulmoi zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviq dhe kryetarin e Listës Serbe, Slavco Simiq, me arsyetimin se ky i fundit nuk e kishte ftuar Petroviqin në takim. “Kush je ti, ti je turpi dhe poshtërimi më i madh për bashkësinë serbe”, i tha Petroviq Simiqit, shkruan gazeta Zeri.
Sipas Petroviqit takimi i thirrur nga Simiq ishte jolegjitim sepse, siç ka thënë ai, në takim nuk kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e LS-së. “Gjashtë muaj ishim jashtë institucioneve dhe në ditën e parë kur u kthyem kuptuam nga mediet se janë ndërruar zëvendësit tanë, se janë ndërruar anëtarët tanë”, ka thënë Petroviq.






















