“Kryeparlamentari Veseli i ka cilësuar arritje të mëdha për shqiptarët në Mal të Zi dy vendimet e fundit të shtetit malazez, atë për themelimin e Komunës më shumicë shqiptare të Tuzit, si dhe miratimin e vendimit i cili parasheh zyrtarizmin e gjuhës shqipe në komunat në të cilat shqiptarët përbëjnë mbi pesë për qind të popullsisë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryetarit të Kuvendit.
Po ashtu, kreu i Kuvendit të Kosovës e vlerësoi të një rëndësie të veçantë ratifikimin nga ana e Senatit amerikan të traktatit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë vendim një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
Më tej në këtë komunikatë thuhet se Veseli bëri të ditur se Kosova do ta fusë me rishikim të buxhetit asfaltimin e rrugës Deçan – Plavë, ndërsa kërkoi që Mali i Zi ta përfundojë pjesën e vet të kësaj rruge. Kreu i legjislativit kërkoi po ashtu, heqjen e tarifës së sigurimit të automjeteve prej 15 eurosh për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt Malit të Zi.
“Ambasadori Dinosha, nga ana e tij, theksoi përkushtimin e shtetit malazez për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit e të miqësisë. Ai tha se krijimi i Komunës së Tuzit dhe zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe edhe në komuna të tjera, shtojnë peshën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe avancojnë statusin e tyre në këtë shtet”, përfundon komunikata.






















