Nga Petrit Kuçana
Nuk janë aq të shpeshta lajmet dritësuese të imazhit të shqiptarëve të Britanisë. Nga BBC e deri tek Al Jazeera e padyshim në të gjithë median shqiptare, u përhap lajmi se Remzie Sherifi u shpall në mesin e 10 grave më të shquara të Skocisë.
Së fundmi është pritur nga Kryeministrja Skoceze Nicola Sturgeo dhe Remzia është kthyer në model edhe për skocezet.
Është kujtesë e bukur nga kolegia jonë Esmeralda Sadikaj, ndërsa fliste për impresionet që i kishte lënë biseda e zhvilluar me të, kur po përgatisnim numrin e parë të “Udhëtimi im” dy vite më parë, ashtu sikundër çdo lajm që vinte nga Skocia që me patjetër kishte vulën e saj.
Lajmi apo lajmet si këto në rastin e Remzijes, theksojnë ekzistencën e një shpërfillje të thekshme (jo thjesht mos-begenisje) mes ambasadës së këtushme shqiptare dhe talenteve të tilla që janë kthyer në ambasadorë të shkëlqyer të shqiptarëve. Është kaq evintent së paku mos koordinimi me personazhe të tillë në Mbretërinë e Bashkuar, saqë kushedi si ka tingëlluar ky lajm në veshët e Ambasadorit Shqiptar Qirjako Qirko apo stafit të ambasadës, lajmet e përcjella nga Daut Dauti dhe Arben Manaj për median në trojet shqiptare. Është e trishtueshme se sot e kësaj dite nuk kanë (apo nuk duan të kenë) një “adresar” me elementet e shquara shqiptare në Britani, që vërtet janë të shumtë në çdo fushë të jetës. (Në të vërtetë ne ua kemi dërguar të gjitha kontaktet me shqiptarët e suksesshëm të britanisë të evidentuar në revistat “Udhëtimi im”)
Shpresohet që Rasti i Remzies të shërbejë si një thirrje ndërgjegje për ambasadorin dhe stafin e tij, se heshtja apo qëndrimet që ngjasojnë shumë më ideologjitë e stërvjetruara, nuk i shërbejnë misionit të tyre.
Vërtet shpresohet në vetëdijesimin e tyre se përveçse rrogtar që paguhen nga taksat e shqiptarëve, kanë marrë përsipër një mision dhe si i tillë duhet përmbushur. (Është fatkeqësi që dimplomacia vazhdon të konsiderohet thjesht një vend pune)
Së paku ekziston një formulë përbashkuese, siç është festa e Flamurit, ku një herë në vit ftohen dhe së paku falënderohen dhe misionarët përpilojnë ide dhe strategji, për të shfrytëzuar çdo hapësirë dhe mundësi për realizimin e misioneve shumëdimensionale duke patur bashkë-koordinim të njëmendtë me elementët shqiptar të Britanisë.
Mungesa e një ftese formale për Remzien dhe të tjerët, qoftë edhe për Festën e Flamurit që bëhet njëherë në vit, kryesisht me kontributet e shqiptarëve të Britanisë, nuk është thjesht arrogancë që përçon mentalitetin e shefit, komandantit, komisarit… sidomos po të kihet parasysh se kush ftohet në raste të tilla, që nga ata, që nuk e dinë pse janë aty, e deri tek ata që kanë “njohje” me ambasadën apo njerëzit pranë saj…
Mbase duhet theksuar se aktiviteti me rastin e festës së Flamurit, që presupozohet si më i madhi që organizohet nga një ambasadë, për shumëkënd mbetet formal deri në mërzi, dhe dy orët e aktivitetit shoqëruar me një pijë, shërbejnë më tepër për networking e në shumë raste kthehet në një salltanet fotosh për rrjetet sociale…
Lënia e një faqe bosh tek “The Albanian” ishte thjesht një gjest simbolik përkrahjeje për këto talente shqiptare në Britani, që po përfaqësojnë denjësisht vlerat më të mira shqiptare, duke u bërë lajm edhe për mediat më prestigjize britanike. E mbase diplomacisë i duhet të tejkalojnë faqezezësinë, përmes një ndjese të ndjerë, për të dëshmuar sadopak fisnikëri, sidomos me kategorinë e këtyre shqiptarëve të Britanisë. Nëse ndonjëherë do u bjerë ndërmend, për organizimin e një lobi shqiptar në Britani, padyshim se shqiptarët e suksesshëm do të përbejnë themelet, veçse në rast se ngjyrat partiake do të humbin drejtshikimin dhe misioni të marrë kahje të korridoreve të ngushta. Gjithsesi Remzia dhe të tjerët që shpërfillen nga përfaqësuesit zyrtarë të shtetit shqiptar, do të vazhdojnë misionin e tyre siç kanë bërë deri më sot dukë bërë krenar jo vetëm shqiptarët e Britanisë, por kudo që ata jetojnë.






















