Sipas KMDLNJ-së, kjo është edhe shkelje e lëvizjes së lirë.
Ky këshill thekson në një komunikatë për media se kohëve të fundit janë shtuar ankesat e qytetarëve të Kosovës për shkeljet që u bëhen gjatë udhëtimit me vetura në territorin e Shqipërisë për faktin se, për kundërvajtjet në trafik autoritetet shqiptare ua konfiskojnë lejet e qarkullimit, patentë shoferin etj, duke i detyruar pastaj që pas disa ditëve të drejtohen në gjykatën përkatëse.
“KMDLNj nuk e sheh ndonjë bazë ligjore që e mbështet këtë veprim të autoriteteve shqiptare dhe vlerëson se kjo është në kundërshtim të plotë me standardet për të drejtat e njeriut përkatësisht për garantimin e lëvizjes së lirë”, thuhet në reagim.
Në fakt, ata që shkelin ligjin e komunikacionit në Shqipëri (shtetasit e Kosovës), sipas KMDLNJ-së, do të duhej të kishin mundësi ta paguajnë menjëherë dënimin në vendin e kundërvajtjes apo, në raste më të rënda duhet të dërgohen në gjykatën më të afërt ku do ta paguanin dënimin “e jo t’u konfiskohen dokumentet dhe të urdhërohen që pas 4,5 dite të lajmërohen në gjykatë e që përveç dënimit të shqiptuar, paraqet humbje të kohës dhe shpenzime tjera shtesë të panevojshme”.
Në kohën e fluksit më të madh (sezona turistike, ndonjë ngjarje sportive apo gjatë fundjavës) kryesisht bëhen patrullime të përbashkëta të policive të dy vendeve (të trafikut rrugor), andaj sipas KMDLNJ-së, nuk ka asnjë arsye që dokumentet të konfiskohen kur dënimi mund të paguhet menjëherë.
“Autoritetet kosovare, Ministria për Punë të Brendshme, Ministria për Punë të Jashtme dhe Ambasada e Kosovës në Tiranë duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme duke kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare në mënyrë që të jenë në gjendje t’i sqarojnë pastaj qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Këshilli në fjalë thekson poashtu se nuk do të duhej të kishte, eventualisht, marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që e përligjin këtë veprim diskriminues “siç është konfiskimi i dokumenteve në kohën nuk ka mënyra tjera të trajtimit të këtyre rasteve siç edhe veprojnë vendet e rajonit”.






















