Njëra prej banoreve të kësaj lagjeje Melihate Brada, deklaron se është detyruar që ta shes veturën si pasojë e mungesës së parkingut.“Unë e kam paguar i kam në fletore emrat e të treve e veturën tonë e kemi shit shkaku që nuk kemi pas ku me u parku. Kemi paguar katër vite garazhin. Menduam që po bëhet zgjidhja i pagova të hollat dhe prapë më është dashur që ta shes makinën”, ka shtuar ajo.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Lokale të sheshit 22 “Edit Durham”, Sabedin Hasani ka thënë për Ekonomia Online se që 17 vjet bëjnë ankesa vazhdimisht pa ndërprerë në Komunën e Prishtinës dhe në polici për shkak të kaosit që ekziston në këtë lagje.
Ai ka thënë se të gjitha veturat të cilat nuk u përkasin banorëve të lagjes duhet të largohen, pasi që këta të fundit janë të identifikuar dhe të pajisur me kartela sipas lagjes.
“Veturat të cilat nuk janë të lagjes duhet të largohen bizneset dhe banorët e lagjes janë të identifikuar dhe janë të pajisur me kartela sipas lagjes. Ne banorët vetëm jemi organizuar dhe në bazë të organizmit kemi dal kemi bërë evidentimin e banorëve të lagjes dhe bizneseve dhe e kemi pa që ka vend edhe për hapësirë edhe për banorë brenda kësaj lagje. Kemi kërkesën në komunë kemi marr një vendim prej tyre të cilin na ka dhënë, dhe në bazë të atij vendimi e kemi bërë shpërndarjen e atyre kartelave të cilët janë të kësaj lagje”, ka deklaruar Hasani.
Problem mungesën e parkingjeve e kanë edhe bizneset.Driton Berisha, menaxher i kafiterisë “Strip Depot”, deklaron se edhe për biznese duhet të gjendet një zgjidhje pasi që pronarët e tyre janë banorë rezidentë.
“Nëse e ke një biznes edhe t’i bëhesh një lloj banori rezident. Derisa ke biznes dhe lokali si lokal ka të drejtë me aplikua për leje. Komuna duhet të lëshojë leje për krejt edhe për banorët edhe për bizneset por më mirë do të ishte që në këtë rrugë me u ndërpre dhe mos të lejohet asnjë veturë me ardh këndej”, ka thënë ai.
Përderisa banorët thonë se paguajnë lejen për vendparkim, në Komunën e Prishtinës thonë se në bazë të rregullores që është në fuqi nuk u lejohet inkasim për banorët.
Shef i sektorit të Shërbimeve Publike, Habib Qorri thotë se banorët të cilët pretendojnë se kanë paguar mund të paraqesin rastin në prokurori, pasi që sipas tij, Komuna nuk ka pranuar asnjë pagesë për këtë qëllim.
“Jo nuk është e vërtetë, nuk kemi asnjë dëshmi nuk ka asnjë letër që është lëshuar prej komunës edhe që lëshohet. Nëse dikujt apo dikush merr para në këtë drejtim mundemi lirisht organet e hetuesisë të merren me këto çështje, për arsye sepse prej komunës nuk është lëshuar leje me pagesë dhe nuk ka kërkuar pagesë prej askujt sepse nuk kemi rregullore në bazë të cilës ne do ta bëjmë inkasimin”, thotë Qorri.
Sa i përket bizneseve të cilët nuk po mund t’i shfrytëzojnë këto parkingje pasi që nuk kanë leje të tillë nga komuna, Qorri ka theksuar se askush para banorit rezident nuk e ka të drejtën e parkimit.
“Bizneset në këtë rrugë shfrytëzojnë hapësirat publike për vendosje të tavolinave, pjesa tjetër është dashur të nxirret prej krejt asaj hapësire publike aty është dashur të nxirret diçka edhe për banorët, sepse nuk kanë hapësirë tjetër parkimi. Para banorit nuk e ka dikush të drejtën më shumë se ai për parkim”, ka deklaruar Qorri.
Kurse në Policinë e Kosovës kanë deklaruar se në momentin që veturat parkohen në kundërshtim me shenjat dhe dispozitat e komunikacionit rrugor, kjo e fundit zbaton ligjin dhe i largon veturat.
E derisa të zgjidhet ky problem, banorët e Prishtinës, por edhe bizneset që operojnë në lagjet përkatëse, do të vazhdojnë të përballen me mungesë të hapësirave për parkimin e veturave të tyre.























