Daut Dauti
Sot në mëngjes në Derry të Irlandës Veriore, në moshën 66 vjeçare, ka vdekur Martin McGuinness i cili ka luajtur rol të madh në politikën britanike. McGuinness mund është cilësuar edhe si “luftëtar i lirisë” për katolikët kurse “terrorist” për protestantët irlandez.
Martin McGuinness e ka lënë shkollën në moshën 15 vjeçare dhe është punësuar si kasap në një mishtore në vendlindjen e tij në Derry apo Londonderry siç e quajnë këtë qytet protestantët dhe pushteti britanik.
Gjatë trazirave të viteve të 60-ta McGuinness mori pjesë në demonstrata për të drejtat civile. Dhuna e shfaqur, sidomos ajo e vitit 1968, bëri që ai t’i bashkohet IRA (Ushtria Republikane Irlandeze) dhe brenda një kohe shumë të shkurtër u caktua zëvendës komandant i IRA Derry Brigade. Pas disa viteve besohet se Martin McGuinness kishte arritur pozitën e komandantit suprem të IRA e cila, deri sot, njihet si organizata më sekrete në botë. Gjatë kësaj kohe mendohet që McGuinness ka urdhëruar të gjitha vrasjet kurse në disa prej tyre thuhet se ka qenë ekzekutuesi.
Martin McGuinness zyrtarisht ka qenë udhëheqës i Sinn Féin-it, krahut politik të IRA. E ardhmja e tij por edhe e tërë Irlandës Veriore dhe politikës britanike ndryshoi në vitin 1998 kur me iniciativë të kryeministrit britanik Tony Blair, u nënshkrua marrëveshja (Good Friday Agreement) për paqe. Që nga kjo kohë roli i Martin McGuinness-it u bë edhe më i rëndësishëm. Ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme në procesin negociues dhe pastaj zell të madh për vendosje të paqes në Irlandën Veriore.
Miqësia që lidhi me armikun e tij të përbetuar Ian Paisley (udhëheqës i protestantëve irlandezë) krijoi një habi të madhe por të mirëpritur nga mediat britanike dhe sidomos nga popullata irlandeze. Ky ishte një shembull që ndikoi në afrimin e katolikëve dhe protestantëve të hasmëruar për vdekje dhe e forcoi procesin paqësor në Irlandë Veriore.
Martin McGuinness tregoi aftësi edhe për politikë dhe u ngrit deri në pozitën e zëvendësit të Ministrit të Parë të Irlandës Veriore, pozitë të cilën e ushtroi deri dy muaj para vdekjes.





















