Për më tepër, Deda ka thënë se vendi do të rrezikonte anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare.
Ky është shkrimi i plotë i deputetit Ilir Deda:
- Pasojat e mosratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi
Në vitin 2012 kur u dha udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe 95 kriteret, askush në Kosovë nuk u ankua përse përcaktimi i kufirit me Malin e Zi ishte kriter për viza. Askush nuk tha se ishte i padrejtë ky kusht. Askush nuk i përmendi as Slloveninë e Kroacinë, e as shtetet e tjera. Mbase, as që e kishte lexuar kush. Mbase, as që mërziteshin për përmbajtje, kryesore ishte që e kishim udhërrëfyesin. Sot, 5 vjet më vonë, vlojnë krahasimet me rastet e Sllovenisë e Kroacisë, me Ukrainën e Gjeorgjinë. Mbase ishte gabim që deshëm liberalizim të vizave. Mbase duhet të mësojmë të lexojmë në kohë të duhur. Apo mbase më së miri është të vajtojmë për padrejtësitë e bëra ndaj nesh.
Këtë vit mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Francë, Holandë, Gjermani dhe Itali. Evropa e kapluar nga popullizmi po ndryshon shpejtë, dhe ky ndryshim nuk është në favor të Kosovës. Konstatimi se tash është treni i fundit për heqje vizash për qytetarët e Kosovës në prill/maj 2017, ose nuk dihet kur do jetë mundësia e ardhshme, është i saktë. A mund të presim të izoluar edhe 2, 4 apo 8 vite të tjera?
Mendjelehtësia e parullës “s’falim tokë për viza” është po aq e rrezikshme sa edhe ajo tjetra “nuk i rrezikojmë vizat për do kërrsha”. Në rrethanat ekzistuese ndërkombëtare vendimi për kufirin nuk është vetëm çështje teknike, por në paradoksin e rastit tonë – edhe gjeopolitike.
Mosratifikimi i demarkacionit do t’i sillte këto pasoja:
-BE do t’a shtyente për një kohë të gjatë vendimin për liberalizim të vizave. Varësisht prej pushteteve të reja në shtetet kyçe në Evropë, edhe po ta ratifikojmë një demarkacion tjetër në vitin 2018 p.sh., do të ndryshonte edhe vlerësimi i kriterit të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, me ç’rast do të vlerësohej që Kosova s’ka bërë progres të mjaftueshëm.
-Në Kosovë PDK e LDK do të akuzohen mes vete për humbje të mundësisë për liberalizim të vizave. Ndoshta edhe do të shkojmë në zgjedhje. Opiumi i parullës “s’falim tokë për viza” do të rritet, sidomos në mënyrë të organizuar nëpër rrjetet sociale.
– Kosova e humbë çdo kredibilitet ndërkombëtar, shndërrohet në shtet të paaftë t’i zbatojë obligimet e marra (rregull bazike në marrëdhëniet ndërkombëtare).
– Ky precedent do t’a rrezikojë çdo anëtarësim të radhës në organizata shumëpalëshe, dhe do të vështirësojë çfarëdo marrëveshje dypalëshe.
– Vetëm mund të paramendohet qasja tjetër ndaj Kosovës e shteteve perëndimore karshi dialogut me Serbinë.
– Mali i Zi anëtarësohet në NATO. Mali i Zi refuzon të rinegociojë për kufirin, sepse që nga vjeshta e 2016 partia në pushtet nuk ka aleatë në opozitë për arritjen e 2/3 në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes së re. Ndoshta nuk ka as interes që të pajtohet që me Kosovën të shkohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Ndoshta NATO do të dërgonte ushtarë në kufirin e ri, të ratifikuar nga Mali i Zi por jo nga Kosova.
-Edhe po të shkohej në Gjykatë të Arbitrazhit, aty do të deponohen – ndër të tjera – edhe dokumentacionet ekzistuese zyrtare të Republikës së Kosovës për kufirin: dokumentacioni i Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare; raporti i grupit ndërkombëtar të ekspertëve; si dhe raporti i Komisionit shtetëror për matjen e territorit. Dhe, do të prisnim rreth 5 vjet për vendimin e Gjykatës – e kush garanton që do të ketë vendim të cilin e kërkojmë ne?
– Ne do të vazhdonim të krenohemi me tribalizëm politik. Pushteti do të gjysmë-ndryshohej.
Pas 5 viteve do të kfilleshim prej opiumit “s’falim tokë për viza” në një Kosovë të izoluar, dërrmuar dhe të zhvatur skajshmërisht. Kë do t’a fajësojmë në vitin 2022 për fatin tonë të mjerë? Apo as atëherë nuk do të mbushemi mend ta kuptojmë njëhere e përgjithmonë që kahja e shtetit tonë varet vetëm prej përgjegjësisë, apo papërgjegjësisë sonë.
—-
Ditët e ardhshme – a ka mundësi për win-win zgjidhje? Nëse po, cila është kjo mundësi?






















