Me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, presidenti tha se Republika e Kosovës duhet të avancojë rolin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet Ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, theksoi Thaçi transmeton Lajmi.net
Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja në përputhje me ligin e ri, sipas presidentit Thaçi, e bëjnë FSK-në një ushtri moderne, profesionale, me karakter mbrojtës, e cila do të dizajnohet për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.
“Ky transformim i natyrshëm ligjor është krejtësisht kushtetues dhe i domosdoshëm, në mënyrë që FSK-ja të fillojë edhe zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO. Prandaj, ftoj shtetet anëtare të NATO-s që të vazhdojnë të ndihmojnë FSK-në ashtu siç kanë bërë deri më tani”, shtoi Thaçi.
Presidenti theksoi se misioni i NATO-s, respektivisht i KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të funksionojë si zakonisht dhe ky transformim nuk do të ketë implikim në misionin dhe detyrat e KFOR-it në Kosovë.
Në fund, presidenti Thaçi i ftoj qytetarët e Kosovës që të kenë besim në shtetin e tyre, si dhe tërë spektrin politik që të bashkohet në çështjet e interesit shtetëror dhe ta dëshmojmë këtë me veprime konkrete.






















