Politico dhe CNN kanë cituar një zyrtar të administratës, që ka thënë se nënshkrimi i urdhrit është planifikuar të mbahet në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Zyrtari ka shtuar se megjithatë, koha e nënshkrimit të urdhërit nga ana e presidentit, mund të ndryshojë.
Urdhri origjinal i 27 janarit ndalonte qytetarët e shtatë shteteve me shumicë myslimane që të hynin në Shtetet e Bashkuara për 90 ditë.
Shtetet që ishin përfshirë në ndalesën e përkohshme të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara janë Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.
Por ky urdhër më pas u bllokua nga një gjykatës federal dhe Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump është duke planifikuar ta rishikojë atë.
Raportimet megjithatë nuk e kanë bërë të qartë se sa do të ndryshojë urdhri i ri nga ai paraprak.






















