Në protestën me moton :”Drejtësi për Arbenita Spahiun” u tha se Arbenita sot një vit vdiq pikërisht për shkak të mungesës dhe tretmanit me kohë mjekësor. Shumë nëna, gra, motra e gra shtatzëna janë solidarizuar me protestën derisa Arlinda Spahiu në emër të familjes ka treguar tërë kronologjinë e rastit tragjik të Arbenita Spahiut, raporton rajonipress.
“Në qytet dhe në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër gjinekologeve janë thënë shumë të pavërteta rreth vdekjes tragjike të Arbenitës. E vërteta është se ajo vdiq në mungesë të dorës së mjekëve dhe për shkak të keqtrajtimit mjekësor. Mjeket përgjegjëse Vjollca Kosumi, Mexhide Shaqiri e Hamide Zeqiri janë përgjegjëse për vdekjen e Arbenitës dhe ne nuk mund të rrimë të qetë derisa drejtësia nuk shkon në vendin e duhur” tha ajo.
Arlinda Spahiu tha se Arbenitën as në varr nuk po e lënë të qetë. “Gjinekologu Tefik Dërmaku edhe pse e ka pasur kliente në Gjykatë ka deklaruar se nuk e njeh. Është fshirë një mesazh shumë relevant nga telefoni i Arbenitës. Dikush ka fshirë qëllimisht provat. Arbenita nuk arriti ta shoh foshnjën e pagëzuar me emrin Deti sepse mjekët e lanë të priste gjatë për ndihmën e nevojshme”.
Familjarët kanë kërkuar që Gjykata të veprojë sipas provave, të veprojë sipas ekspertizës e cila i bënë përgjegjëse mjeket gjinekologe.
Ndryshe edhe protestuesit janë solidarizuar me protestën dhe me kërkesën kryesore që “Pa drejtësi nuk ka qetësi”.























