Kabineti ka miratuar rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 16/2013 për Strukturën Organizative të Zyrës së Kryeministrit. Nevoja për plotësim ndryshimin e kësaj rregulloreje ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vitin e kaluar, për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe vendimit tjetër për krijimin e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit, vendime këto që ndryshojnë strukturën organizative të ZKM-së.
Është miratuar edhe udhëzimi administrativ për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 05/2016 për Zbatimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik. Ky plotësim ndryshim është pjesë e reformave për të ngritur efikasitetin e shpenzimeve publike. Ky propozim ndryshim është pjesë e Programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që lidhet me zgjerimin e listës së produkteve për prokurim të përbashkët. Agjencia Qendrore e Prokurimit ka analizuar mallrat që mund të shkojnë si prokurim i përbashkët, duke shtuar në listë edhe blerjen e veturave, marrjen me qira të veturave, furnizimin me mobilie dhe shërbimet e shtypit dhe të publikimeve. Vlerësohet se këto shërbime do të jenë 10 për qind më të lira nëse kryhen nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, sesa nëse bëhen nga organizatat buxhetore veç e veç.
Në këtë mbledhje, është miratuar vendimi për rialokim të mjeteve në buxhetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në përputhje me 25 (njëzet e pesë) marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave për projekte kapitale. “Kjo Ministri ka përmbyllur me sukses fazën e ndarjeve të mjeteve financiare prej 2 milionë e 129 mijë eurove për mbështetjen e projekteve kapitale në komunat e Republikës”, thotë Qeveria.
Me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të punës së komunave për ndarjen e këtyre mjeteve financiare, Ministria ka hartuar kritere të përgjithshme dhe të veçanta për komunat, mbi bazën e të cilave është bërë edhe vlerësimi i projekteve kapitale nga komunat për financim dhe bashkëfinancim.
Kabineti miratoi vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për Manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që organizohet nën patronatin e kryeministrit Isa Mustafa. Ky këshill propozohet në këtë përbërje: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesues; Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, anëtar; Përfaqësues nga komuna e Skenderajt, Përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme,
Po ashtu, në Këshill ftohen që të dërgojnë përfaqësuesit Zyra e Presidentit, Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës, Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Në këtë mbledhje, është miratuar vendimi për emërimin e Edi Gusia, në pozitën e Kryeshefes Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, në kuadër të ZKM-së.























