Në Lidhjen Demokratike të Kosovës emrat që po përfolën më së shumti në kandidimin për kryetar të Prishtinës janë, Ismet Beqiri, Sokol Havolli dhe Arban Abrashi.
Agim Gashi i LDK-së, ka thënë për lajmi.net se emrat e përfolur janë të vetëshpallur.
“Partia ende nuk ka dhënë një propozim, me kohë do të dalim dhe do ta bëjmë zyrtare”, është shprehur Gashi.
Nëndega e Partisë Demokratike synon ta shpallë kandidat kryetarin e Degës në Prishtinë, Lirak Çelaj.
“Nuk ka një përcaktim përfundimtar për këtë çështje, por në Degën e Prishtinës ekziston një disponim në parim që kryetari i degës të jetë kandidati për Prishtinën”, ka thënë ai.
Pa kandidat është ende edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i Degës në Prishtinë, Avni Arifi ka qenë i përfoluri i kësaj partie, mirëpo në një prononcim për lajmi.net ai e ka mohuar një gjë të tillë.
“Unë nuk do të jem kandidat dhe kjo është e sigurt. Besoj se në muajin mars do e vendosim”, ka treguar Arifi.
Edhe Nisma për Kosovën ende nuk ka vendosur se kënd do e kandidoj, sekretari i kësaj partie Bilall Sherifi ka thënë për lajmi.net se nuk është marrë akoma një vendim.
Aleanca Kosova e Re po pret të mbajë Kongresin e Partisë e më pas të marrin një vendim.





















