Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Malit të Zi është aprovuar Plani Urbanistik Hapësinor i Komunës së Ulqinit, me ndryshimet e fundit të realizuara nga vetë komuna.
Ndryshimet më të rëndësishme të përfshira në këtë plan janë mbrojtja e ullishtës së Valdanosit dhe ndalja e ndërtimit në atë pjesë, por edhe planifikimi i hapësirave bujqësore dhe atyre për aktivitete rekreative dhe sportive.
Shqiptarët e Ulqinit për vite me radhë ishin përpjekur që ta pengojnë privatizimin e Valdanosit, duke kërkuar që ullishta e marrë dikur prej ushtrisë jugosllave t’iu kthehej pronarëve.
Ata i kundërshtonin edhe projektet që synonin përdorimin e kripores së Ulqinit për ndërtim masiv turistik, pasi që frikësoheshin se kjo do të ndryshonte raportin demografik etnik në Ulqin, duke sjellë kolonizim të banorëve joshqiptarë.
Gjithashtu, një kërkesa tjetër e tyre ka qenë edhe krijimi i një lidhjeje me Velipojën përmes Bunës, e cila do ta shkurtonte shumë distancën me Tiranën dhe Prishtinën, por edhe do ta integronte bregdetin e Ulqinit me atë shqiptar.
Me këtë plan hapësinor të tre këto kërkesa i janë aprovuar Komunës së Ulqinit.
Plani Urbanistik Hapësinor i Komunës së Ulqinit parasheh mbrojtjen e kripores së Ulqinit dhe planifikimin e saj si monument dhe park natyror, duke mos përfshirë asnjë lloj ndërtimi në territorin kripores.
Ky plan parasheh edhe rregullimin e rrugës së shtojit nga 2 në 4 korsi, si dhe ndërtimin e urës mbi lumin Buna bashkë me lidhjen me Shqipërinë, duke hapur pikën e re kufitare.






















