Ai më 29 janar të këtij viti u arrestua nga Policia e Kosovës, ndërsa dy ditë më pas iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Gjyqtari i procedurës paraprake Isuf Makolli kështu miratoi kërkesën për caktimin e paraburgimit sipas së cilës në veturën në të cilën u ndal S. K. u gjetën tre persona, L.N, F.Z dhe N.Th., ndërsa për destinacion kishin vende te Evropës.
Sipas Prokurorisë, duke u bazuar në deklaratat e të dyshuarve, i dyshuari S. K. është marrë vesh që ta dërgonte L. N. në Zvicër, ndërsa për këtë do të paguhej 3500 euro.
Në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit,thuhet se i dyshuari gjithashtu ishte marrë vesh edhe me F.Z. për ta dërguar në Itali në këmbim të 2500 eurove, ndërsa N.Th. është deklaruar se ishte drejtuar në Serbi për arsye shëndetësore.
Prokuroria pretendon se me këto veprime S.K ka kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, citohet se edhe i dyshuari S.K ka deklaruar njëjtë me N.Th.
Caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e ka kundërshtuar avokati i tij Nasuf Hasani.
“Prokuroria kërkesën e tyre për paraburgim nuk e ka mbështetur në asnjë provë të artikulueshme. Prokuroria nuk e ka përshkruar asnjë provë apo veprim të inkriminues të të mbrojturit tim. I mbrojturi im në asnjë moment nuk ka tentuar t’u shmanget autoriteteve kufitare, është paraqitur dhe legjitimuar dhe në asnjë veprim të tij nuk mund t’i vihet në barrë ndonjë veprim inkriminues”, tha Nasufi në seancën për caktimin e paraburgimit.
I pakënaqur me vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit, Hasani paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.






















