Pikërisht ky bifurkacion bën që qytetin e Ferizajt ta vizitojnë njerëz nga mbarë Kosova e trojet e tjera shqiptare. Nga mbarë Ballkani, Evropa e bota. Verë e dimër, pa ndalë! Me një fenomen të tillë në një territor aq të vogël siç është Kosova, më së shumti mbeten të mahnitur vizitorët e huaj. Madje, ka prej tyre që vizitat te bifurkacioni i lumit Nerodime tashmë i kanë bërë rutinë. Vit për vit. Pa ia huqur asnjëherë.
“Prej Norvegjisë ka qenë një vizitor me profesion gjeograf, rregullisht ka ardhur me familje. Është interesuar për bifurkacionin. Të huajt e vlerësojnë shumë”, rrëfen Shaban Kashtanjeva nga restorant “Bifurkacioni”.
Madje, vizitorët e jashtëm e vlerësojnë aq fort bifurkacionin e këtij qyteti, saqë janë të bindur që ai vlen shumë herë më shumë se i tërë qyteti i Ferizajt. /Zëri























