Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori pjesë javën e kaluar në një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar për t’u takuar me mërgatën shqiptare dhe partinë Laburiste Britanike. Delegacioni udhëhiqej nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri dhe ishte i përbërë nga Glauk Konjufca, Kryetar i Grupit Parlamentar, Fisnik Ismaili, Deputet, dhe Fitore Pacolli, Drejtuesja e Komitetit për Politikë të Jashtme.
Në takime me përfaqësues të lartë të Partisë Laburiste, si Baronesha Janet Royall dhe deputeti Khalid Mahmood (Ministër në hije i kabinetit opozitar), delegacioni e pëqëndroi diskutimin jo vetëm te situata ekonomiko-politike në Kosovës, por edhe tek domosdoshmëria e forcimit të marrëdhënieve mes forcave progresive social-demokrate në Evropë, si nevojë për të sfiduar pushtet e djathta dhe konservatore. Ky qëndrim u përkrah edhe nga përfaqësuesit e Partisë Laburiste të cilët treguan se kjo strategji është edhe në planet për rajonin e Ballkanit të kryetarit të Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.
Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje u takuam edhe me Znj. Fiona Mcilwham, Drejtuesen e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme Britanike (FCO) për të diskutuar rreth alternativës qeverisëse të Lëvizjes për zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe lidhur me dëmet e dialogut pa kushte me Serbinë, dhe “Zajednicën” si dëmi më i madh për Kosovën që buron prej këtij dialogu.
Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca mbajtën edhe një ligjëratë në Institutin për Studime Zhvillimore pranë Universitetit Sussex me temën “Kosova dhe shqiptarët në një Evropë në ndryshim” duke folur për dinamikën e rajonit dhe Evropës, si dhe për nevojën për themelimin e Republikës së Tretë të Kosovës, si republikë për zhvillim dhe bashkim.
Delegacioni u takua me një numër organizatash shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar si dhe me akademikë shqiptarë për të mësuar më shumë mbi problematikat e mërgatës tonë, për të cilat u diskutua edhe në tubimin e mbajtur në Londër në fund të kësaj vizite me një pjesëmarrje të gjerë të bashkatdhetarëve.






















