Ndërsa Gjermania përgatitet për shira të rrëmbyeshëm, parashikuesit thonë se kushtet më të rënda do të shënohen në lindje të vendit. Situata e vështirë mbetet edhe në Ballkan dhe Turqi.
Organizata Botërore Meteorologjike, thotë ndërkohë se moti i keq është përgjegjës për një numër të madh aksidentesh rrugore, mbylljen e shkollave dhe anulimet e fluturimeve. Organizata po ashtu paralajmëron për pasojat e motit të ftohtë tek të pastrehët dhe emigrantët.
Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për vuajtjen e këtyre grupeve në Greqi dhe Serbi. Mijëra emigrantë në Ballkan jetojnë në tenda pa pasur shumë mundësi ngrohjeje.
Agjencia e kombeve të bashkuara për refugjatët, UNHCR, më herët tha se disa emigrantë kishin humbur jetën si pasojë e të ftohtit në Bullgari. Disa vende, po përjetojnë edhe reshjet më të mëdha të borës në shumë vite me lumin Danub dhe ngushticën e Bosforit që janë mbyllur për lundrim.
Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Bullgaria, kanë parë një valë të pazakontë të ftohti me temperatura që shkonin edhe nën -15 gradë celsius për mbi pesë ditë radhazi. Vendet përreth, si Italia, Greqia, Turqia dhe Rumania, kanë regjistruar temperatura 5 deri në 10 gradë më të ulëta se normalja. Vala e të ftohtit në të gjithë Europën, ka marrë deri më tani më shumë se 65 jetë njerëzish, e vetëm në Ukrainë, temperaturat nën zero kanë shkaktuar 40 viktima që nga fundi i dhjetorit.

























