Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Begaj gjatë muajve qershor-gusht 2014, në cilësinë e personit zyrtar, ka shpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimet e veta, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës, shkruan lajmi.net.
“Edhe pse ky i dëmtuar, në bazë të kontratës së punës së lidhur në mes të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Malishevë, do të duhej t’i kryente detyrat e punës si Drejtor në Shkollën Fillore të Mesme dhe të Ulët ‘Ganimete Tërbeshi’ në fshatin Astrazup deri më datën 01.10.2015, i pandehuri me dashje dhe dijeni i ka shkelur dispozitat e Ligjit të punës nr. 03/L-212, duke e shpallur konkursin për pozitën e tij pa ia ndërprerë të njëjtit marrëdhënien e punës. Ndërkohë me vendim të marrë nga Komuna e Malishevës, të dëmtuarit në kundërshtim me dispozitat ligjore, i ndërpritet marrëdhënia e punës, duke e lënë pa vend të punës dhe të ardhura për jetesë”, thuhet në aktakuzë.
2. Blerim Thaçi, i akuzuar në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Malishevë:
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Blerim Thaçi ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Sipas aktakuzës, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, në ueb faqen e tij ka publikuar dhënien e kontratës se punës për punimin e rrethojës se gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malisheve, ku tenderin e ka fituar operatori ekonomik NPZ “Arberi” në Malishevë. Ky publikim është bërë pasi janë kryer punimet nga ana e operatorit në fjalë, e të cilat punime nga ana e të pandehurit janë urdhëruar që të kryhen në mars 2014. Ndërkaq, fituesi i tenderit është shpallur më 10 prill 2014 në ueb faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik pranë KK të Malisheves”, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”, emision i specializuar për fushën e sundimit të ligjit, i cili prodhohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), shkruan lajmi.net.
3. Drejtori i Arsimit në Malishevë, Halim Hoti:
Drejtori tjetër i Arsimit në Malishevë, Halim Hoti, ka punësuar djalin e tij Edon Hoti pa diplomë universitare, madje nuk i ka shpallur as konkursin për ç’gjë ishte i obliguar me ligj.
4. Miku i Fatmir Limajt, Hafir Xhyliqi, është punësuar psikolog në gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë, pa konkurs.
Kallxo.com kishte kontaktuar përmes telefonit me Drejtorin e Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi, i cili kishte pranuar se i punësuari është mik i Fatmir Limajt, por se kjo, sipas tij, nuk është arsyeja e pranimit.
“Gjimnazi ‘Hamdi Berisha ka pasur nevojë për një psikolog dhe ky rastisi të jetë miku i kryetarit të Nismës”, ka theksuar Thaçi.
5. Asamblistja e Nismës në Malishevë, Floriana Demaj, punësohet mësimdhënëse pa konkurs
Asamblistja e Nismës në Malishevë, Floriana Demaj, është punësuar pa konkurs si mësimdhënëse në Gjimnazin “Hamdi Berisha”.
6. 22 mësimdhënës dhe 5 punëtorë administrate të Qendrës së Kompetencës në Malishevë, të larguar nga puna në muajin gusht, ngritën kallëzim penal kundër Kryetarit të Komunës, Ragip Begajt, dhe Drejtorit të Arsimit, Blerim Thaçit. Ata pretendojnë se nuk janë më pjesë e arsimit malishevas, ngase nuk janë pjesë e “Nismës për Kosovën”, partisë në pushtet në këtë komunë.






















