Sipas Alajdin Demirit, veprimi i Thaçit është i shpejt dhe jo i menduar mirë.
“Nuk besoj se shkon në histori PDSH-ja, por shkon në histori kryetari i saj. Mënyra e veprimit të kryetarit të kësaj partie ai i cili tentoi dhe e privatizoi partinë në mënyrën e tij që u identifikua me partinë si ajo e Luigjit XIV shteti jam unë edhe ai u identifikua me atë se partia jam unë, e pru partinë në këtë gjendje që në këtë mënyrë të turpshme jo të largohet por të përjashtohet nga politika”, tha Alajdin Demiri, Analist.
Për Xhelal Nezirin veprimi i Thaçit është në njëfarë forme tradhti ndaj elektoratit tij. Sipas tij, dy partitë që propagandonin idenë se shqiptarëve nuk i nevojiten më shumë se dy parti tashmë janë humbësit më të mëdhenj.
“Në këto zgjedhje, tek kampi politik shqiptar humbësi më i madh është PDSH e cila nga një faktor relevant në skenën politike tani kë vetëm dy deputet dhe në njëfarë forme ja ka dhënë Lëvizjes Besa. Humbësi tjetër më i madh është BDI pasi nga 153 mijë vota tani ka 80 mijë vota dhe një përgjysmim të numrit të deputeteve, ndërsa Besa me 5 deputet si iniciativë e re është befasi por nuk mund të thuhet se është fituese”, u shpreh Xhelal Neziri, analist.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve e mori mbi vete, por duke mos potencuar nëse do të tërhiqet nga posti kryetar i partisë.
“Si kryetar i PDSH-së, ju shprehi mbështetjen e plotë opozitare të PDSH-së këtij koalicioni dhe në të njëjtën kohë konstatoj se votat, mbështetja politike dhe deputetët që i kemi fituar do të jenë komplet në mbështetje të politikës dhe të partisë Besa dhe RDK-së”, deklaroi Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami mirëpriti gatishmërinë e PDSH-së, por nuk zbuloi qëndrimin partiak.
“Më lejoni që të falënderoj edhe PDSH-në për përkrahjen ndaj Lëvizje Besa dhe koalicionit Rilindje me Besë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Risi tjetër e këtyre zgjedhjeve ishin edhe mandatet e Aleancës për shqiptarët, përkatësisht të LR PDSH-së, parti kjo e cila siguroi mandate më tepër se sa partia nga e cila u shkëput kohë më parë. Megjithatë kryetari i LR PDSH-së, Zijadin Sela akuzoi liderin e BDI-së për përçarjen e votës shqiptare.
“Ju jeni përgjegjësi kryesor që zona e gjashtë zgjedhore ka mbi 10% më tepër se në zonën tjetër. Dhe nëse kjo përqindje do t’i bashkëngjitej zonës së pestë ose tretë zgjedhore, janë minimum plus 3 deputet shqiptar”, u shpreh Zijadin Sela, Kryetar i LR PDSH-së.
Jo zyrtarisht, në përbërjen e re parlamentare, partitë shqiptare do të kenë se paku 9 mandate më pak.























