Një galeri e mbyllur kromi në Katjel të Prrenjasit është hapur nga një firmë mineralesh dhe prej saj janë nxjerrë 12. 5 ton krom, duke bërë që policia e Prrenjasit të nisë hetimet dhe të realizojë një operacion për kapjen e të dyshuarve, operacion të koduar si “Galeria e mbyllur”.
Si rrjedhim, janë vënë në pranga, shoferi i një kamioni me 12.5 ton krom që ishin nxjerrë nga kjo galeri e mbyllur dhe ka nisur procedimin penal ndaj administratorit të firmës dhe një bashkëpunëtori që kishin falsifikuar letrat e shoqërimit të mallit.
Konkretisht, në pranga ka rënë shoferi Bledar Malo, 31 vjeç, banues në fshatin Kotodesh Prrenjas si dhe ka nisur procedimi penal ndaj administratorit të firmës, B.O, 28 vjeç, banues në fshatin Fanjë, Prrenjas si dhe të një bashkëpunëtori të tij Sh.M. 58 vjeç.
Sipas Policisë së Elbasanit, shoferi Bledar Malo ishte duke drejtuar një kamion “Benz” me targa AA 995 LE në fshatin Bërzesht, pranë pikës së grumbullimit të mineralëve dhe kur u kontrollua, rezultoi se po transportonte 12.5 ton krom.
Nga kontrolli rezultoi se fatura e shoqërimit ishte e falsifikuar dhe minerali ishte marrë në galerinë e minierës në fshatin Katjel, ku nuk lejohet nxjerrja e kromit, pasi është mbyllur. Lënda minerale dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Dosja e Malos tashmë i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për akuzat: “Vjedhje”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”
Po ashtu, policia procedoi penalisht administratorin e firmës B.O, 28 vjeç, banues në fshatin Fanjë Prrenjas. Ky shtetas dyshohet të ketë lëshuar një faturë shoqërimi të falsifikuar për shtetasin Bledar Malo. Ai akuzohet për veprën penale: “Fshehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” .
Gjithashtu proçedohen penalisht shtetasit SH.M, 58 vjeç, banues në fshatin Kotodesh Prrenjas Ky shtetas dyshohet të ketë ndihmuar shtetasin Bledar Malo në marrjen e faturës së shoqërimit nga Administratori i firmës. Ai akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.























