Deputetja e PD, Majlinda Bregu ka reaguar për vrasjen e gruas në Fier, të cilën burri e hodhi nga kati i katërt i apartamentit. Bregu i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani që të identifikojë gjyqtarin që ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për gruan dhe i ka lënë në të njëjtën shtëpi. Madje ajo ka premtuar se gjyqtarin do ta padisë vetë, nëse vërtetohet që ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes.
Ja reagimi i plotë i bregut në FB:
Zoti Ministër i Drejtësisë,
Një grua është flakur dje nga nga ballkoni i shtëpisë si plaçka më e pavlefshme, nga një Burrë-Shtaza i radhës.
Mediat thonë sot se Viktima ka patur një Urdhër Mbrojtje nga Gjykata e Fierit, pas denoncimeve të mëparshme për ushtrim dhune ndaj saj.
Urdhri i mbrojtjes kur një grua e dhunuar kërkon ndihmë, e detyron kriminelin burrë që pavarësisht nga “soji i hallit” që paraqet si shkak për shtazërinë:
-të largohet nga banesa
– të mos i afrohet bashkëshortes dhe fëmijëve
– të ruaje distancën nga shtëpia ku ajo jeton bashke me fëmijët apo nga vendi i punës dhe shkollës së fëmijëve etj etj.
Unë jam e qartë se fuqia jonë e veprimit dhe reagimit kundër një kërcënimi si dhuna ndaj grave që është terrorizëm i qartë, i pastër, i çmendur në vend të jetë po aq e egër sa egërsia e Shtazëve, po rrezikon të mbetet vetëm tek keqardhja njerëzore.
Por ky rast po më tmerron nga ky detaj: Urdhri i Mbrojtjes!
Zoti Minister,
Kush është ai Gjyqtar që paska lëshuar një Urdhër Mbrojtje që e lë burrin që gruaja e padit për dhunë, të jetojë në një shtëpi me të derisa ta hedhë nga ballkoni????
Nëse kjo është tërësisht e vërtetë, padinë për këtë Gjyqtar, do ta bëj Vete!






















