Sipas policisë, organizata funksiononte me role të ndara dhe degë tërësisht anonime prej njëra-tjetrës, në mënyrë që të shmangeshin arrestimet e anëtarëve të saj.
Kreu i kësaj organizate bënte kujdes në ndarjen e roleve të anëtarëve, duke organizuar deri në detaj importimin e lëndëve narkotike nëpërmjet kufirit shqiptar e në vazhdim në shpërndarjen e sasive të këtyre lëndëve.
Shitja bëhej nëpërmjet shpërndarjes tek emigrantët afrikanë, por edhe tek shitës pakice grekë dhe shqiptarë, ndërsa kujdes i veçantë bëhej për transportin dhe pastrimin e parave të përfituara në mënyrë ilegale.
Kryesisht organizata shiste lëndë narkotike në zonën e qendrës së Athinës. Të paktën 30 prej të arrestuarve janë shtetas shqiptarë, 30 janë afrikanë dhe pjesa tjetër grekë dhe emigrantë nga Bullgaria, Rumania dhe Afganistani.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në 45 banesa të ndryshme 433 kilogramë kanabis, sasi lëndësh të ndryshme narkotike, mijëra rrënjë kanabis të papërpunuara në sera, si dhe 30 mijë euro para të thata, 10 vetura, 2 motorë dhe një kamion që përdoreshin për transportin dhe shpërndarjen e drogës.
Policia vlerëson se kjo organizatë ka trafikuar më shumë se 1.2 ton kanabis, si dhe sasi të mëdha drogash të rënda. Vlerësohet se përfitimet e saj arrijnë në më shumë se 19 milionë euro.






















