Kreu i Kuvendit i ka falënderuar investitorët gjermano-holandez për investimin e tyre, siç ka thënë ai, në mesin e njerëzve me virtyte të larta dhe shumë punëtorë. “Përçoni mesazhin te kolegët tuaj, ejani investoni në komunën e Skenderajt. Ejani investoni në komunën e Drenasit, në të gjitha komunat e Kosovës, sepse keni me pas përkrahje të fuqishme”, ka thënë kryeparlamentari Veseli. Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se do të stimulohet çdo prodhues vendor, sepse Kosova ka shumte shumë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
“Kemi nevojë ta punësojmë këtë armatë të të rinjve tanë”, ka thënë kryeparlamentari Veseli. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka treguar se në komunën e Skenderajt së shpejti pritet të investojë edhe një kompani angleze në një fabrikë të panxharsheqerit.
“Kemi premtime që do të kemi edhe investitorë të tjerë që do të vijnë në komunën e Skenderajt, komunën e Drenasit dhe në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Kosova do të shndërrohet në kantier të ndërtimit të fabrikave”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.
Nga ana tjetër, investitori i fabrikës për përpunimin e mishit, Gerttjan Tomassen, ka thënë se janë të kënaqur me mikpritjen dhe ndihmën e komunës së Skenderajt, ndërsa premtoi vazhdim të investimeve. Edhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, i siguroi investitorët për mbështetjen, duke theksuar se me hapjen e fabrikës për përpunimin e mishit fitojnë edhe fermerët e rajonit të Drenicës.
Sipas investitorëve gjermano-holandez, në fabrikën për përpunimin e mishit do të investohen 1 milion euro dhe në fazën e parë do të punësohen 60 punëtorë, për të vazhduar më pas me rritjen e numrit të punëtorëve.


























