‘‘Arbëria’’-klubi i parë shqiptar i shahut në diasporë, i cili garon në një ligë nacionale
Vjenë, 21 nëntor 2016:-Shoqata sportive dhe kulturore ‘‘Arbëria’’ u themelua në takimin konstituiv mbajtur me 16 dhjetor 2012 në Vjenë, me ç’rast u zgjodh edhe udhëheqja e ngushtë e saj në këtë përbërje: Kadri Berbati (kryetar), Xhevat Xhemaili (nënkryetar), Agron Çika (trajner/kapiten), Anton Marku (sekretar) dhe Avdyl Gjocaj (arkatar). Ajo u u regjistrua pranë organeve përgjegjëse austriake me 17 janar 2013 me numër regjistrimi, ZVR-Zahl: 574405097.
Në ndërkohe u dizajnua logoja e shoqatës, u hap xhirollogaria e saj bankare pranë ‘‘Erste Bank’’, u dizajnua web-faqja në internet (www-arberia.at), ajo në facebook, si dhe e regjistrua edhe një adresë elektronike (shah.vjene@gmail.com).
Në shtator të vitit 2013 klubit i shahut ‘‘Arbëria’’ filloi garat në ligën e dytë të Vjenës (grupi veri). Kampionati u përbyll në mars 2014. Klubi i shahut ‘‘Arbëria’’ arriti të tubojë 31, 5 pikë nga 7 ndeshje dhe pa asnjë humbje të pësuar u shpall kampion i grupit. Nga shtatori i vitit 2014 klubi mori pjesënë ligën e parë të shahut të Vjenës. Në këtë kategori garat u përmbyllen në muajin mars 2015 duke bërë që klubi i shahut ‘‘Arbëria’’ të fitojë vendin e parë me 49,5 pikë të tubuara nga 9 ndeshje të zhvilluara, duke shënuar 8 fitore dhe një barazim. Në sezonin 2015/2016 klubi i shahut Arbëria garoi në ligën B të Vjenës, ku zuri vendin e shtatë.
Duke parë interesimin e madh të shahistëve shqiptarë me banim të përkohshëm në Austri, për herë të parë në historinë e diasporës shqiptare në këtë shtet mik, në sezonin 2016/2017 klubi i shahut ‘‘Arbëria’’ garon me dy ekipe: ekipi i parë në ligen B të Federatës së Shahut të Vjenës dhe ekipi i dytë në kategorinë/ligën e dytë të kryeqytetit austriak.
Përgjatë katër viteve të ekzistimit të tij, klubi ‘‘Arbëria’’ ka zhvilluar kontakte bashkëpunimi me Federatën së shahut të Vjenës dhe klubet tjera, si dhe ka mbajtur takime të rregullta duke i protokoluar ato. Për sukseset e tij kanë shkruar gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe dhe gjermane. I gjithë aktiviteti ynë zbatohet në mënyrë vullnetare, ndërsa indikatorët kryesorë të suksesit janë: sukseset e njëpasnjëshme dhe ngritja për tre rangje garash në tre vite, numri i shoqatave dhe personave pjesëmarrës në aktivitetet e shahut, informimi më i mirë i opinionit lidhur me shoqatat shqiptare jashtë vendlindjes, interesimi i diasporës, prania në media, etj.
Sfidat në të ardhmen Në dy kuvendet e tij të punës (shtator 2014 dhe qershor 2016), u vlerësua se një ndër sfidat kryesore me të cilat do të mund të ballafaqohet klubi në të ardhmen është sigurimi i qëndrueshmërisë financiare, pasurimi i fondit të lojtarëve, mobilizim dhe angazhim shtesë në përfitimin e njohurive teorike të lojës së shahut dhe jetësimi i klubit të dytë (të rinjve), etj.
Objektivat e klubit: • Promovimi i aktiviteteve sportive të shqiptarëve në Austri; • Ndërtimi i urave të miqësisë me popullatën vendase dhe të huajt në Austri; • Rritja e pjesëmarrjes të të rinjve shqiptarë në jetën kulturor edhe sportive në Austri; • Nxitja dhe motivimi i talentëve të rinj; • Nxitja e bashkëpunimit mes shoqatave shqiptare në Austri dhe organizimi i manifestimeve të përbashkëta, etj. Shkroi: Anton Marku, sekretar i klubit të shahut ‘‘Arbëria’’-Vjenë


















