Avokati i Popullit Hilmi Jashari theksoi se është shumë me rëndësi që ofrimi i evidencave të bazohet në indikatorë konkret për të matur të arriturat dhe zbrazëtirat në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Nataliya Apostolova – Shefe e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë u shpreh “Kemi parë përmirësime në kornizën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mendojmë se duhet të bëhet më shumë përmes alokimit të buxhetit adekuat për mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale në kuadër të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal”.
Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets theksoi se çdo herë kur dështohet të mbrohet një fëmijë, dështon edhe shoqëria. Ajo inkurajoi institucionet e Kosovës, që t’i ndërtojë kapacitetet e kërkuara, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë James Mugaju, deklaroi se investimi në fëmijë, është investim në të ardhmen e Kosovës. Por sfidë sipas tij mbetet implementimi i kornizës ligjore ekzistuese.
Të gjeturat e Indeksit tregojnë që Kosova ka krijuar legjislacion të mirë për mbrojtjen e fëmijëve, por pikë të ulëta ka marrë në ofrimin e shërbimeve, kapaciteteve dhe llogaridhënies. Të dhënat krahasimore në mes të shteteve tregojnë që Kosova duhet të ndërhyjë menjëherë në fushën e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijët të cilët punojnë punë të rënda, ku Kosova rradhitet në vendin e tetë nga nëntë shtetet ku është implementuar Indeksi sa i përket mbrojtjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe në vendin e pestë sa i përket mbrojtjes së fëmijëve të përfshirë në punë të rënda. Indeksi njeh poashtu progresin e arritur në Kosovë sa i përket mbrojtjes së fëmijëve pa përkujdes prindëror.
Disa nga rekomandimet kryesore të Indeksit janë:
- Adoptimi i standarteve financiare për të financuar në mënyrë të duhur shërbimet dhe për ti vënë në linjë me standartet e cilësisë. Pa standarte financiare të vendosura, është vështirë të sigurohet buxheti i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për shërbime.
- Krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm, të pavarur për monitorim dhe inspektim për kontrollin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve private dhe publike dhe për administrimin e licensimit.
- Krijimi i planit për financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale në tërë Kosovën përmes krijimit të grantit specifik për shërbime sociale.
- Mbledhja e të dhënave për të përcaktuar dominimin e çështjeve të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.






















