Gjykata e Janinës ka vendosur sot të dënojë me 30 muaj burg me kusht per 3 vjet, 2 shoferë të Ministrisë së Jashtme Shqiptare që u ndaluan para disa ditësh nga Greqia me pretendimin se transportonin tekste shkollore shqipe në Ambasadën shqiptare në Athinë me hartën e “Shqipërisë së Madhe”, gjë që cënonte shtetin helen. Burime të BalkanWeb bëjnë me dije se ka qënë dëshmia e një doganiereje në Kakavijë ajo që ka fundosur dy shqiptarët Altin Tafa dhe Agim Asllani.
Ndërsa dy shoferët kanë pretenduar se kishin pasaporta diplomatike, përfaqësuesja e Doganës së Kakavijës nguli këmbë që mjeti nuk kishte targa diplomatike ndaj edhe u kontrollua.
Në momentin e ndalimit dy drejtuesit e mjetit i treguan një autorizim të Ministrisë së Jashtme Shqiptare ku thoshte që po transportonin material diplomatik, madje kanë deklaruar se kishin edhe pasaporta diplomatike, siç dëshmoi doganierja greke.
Kjo e fundit tha më tej se, gjatë kontrollit ka vërejtur një libër me hartën e “Shqipërisë së Madhe”, madje shkruhej edhe Çamëria.
“Pashë në libër hartën që tregonte Shqipërinë deri në Prevezë, Janinë, Kostur dhe Follorinë. Madje shkruhej edhe Çameria”,- tha ajo.
Duke vijuar dëshminë, shtoi: “Pas kësaj njoftova drejtuesin tim dhe I konsiderova të paligjshëm”
Në total mësohet të jenë sekuestruar 1512 tekste me vendim gjykate si edhe mjeti ku u gjetën librat.
Sipas burimeve mediatike greke Konsulli i Shqipërisë në Janinë, paraqiti dokumentet ku shërbimi po kryhej në përputhje me Konventën e Vjenës, por kjo nuk është është pranuar nga gjykata. Prokurori grek, sipas këtyre burimeve, ka pohuar në seancë se librat e gjetur në pjesën e pasme të automjetit ishin objekt i një misioni jo diplomatik pasi nuk ishin paketuar sipas proçedurave diplomatike. Edhe lidhur me përmbajtjen e librave, prokurori tha se “ky është një material me përmbajtje anti-greke, dhe kjo mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Në Gjykatë është paraqitur edhe Konsulli Shqiptar në Janine, Sofokli Vasili, i cili ka kërkuar të përfaqësojë shtetin shqiptar, po nuk është lejuar. Gjykata i ka dhënë vetëm të drejtën e dëshmitarit.
Ambasada shqiptare në Athinë nga ana e saj ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, por për një hartë ku tregohen vendet ku ka përqëndrim të popullsisë shqiptare, jo vetëm në rajonin e Ballkanit.
Prej vitesh në Greqi funksionojnë klasa të mësimit të shqipes të cilat janë hapur nga organizata të emigrantëve në bashkëpunim me disa Bashki greke. Sigurimi i teksteve për fëmijët bëhet nga vetë prindërit dhe me ndihmën e Ambasadës shqiptare në Athinë. Pikërisht për ta ishin të destinuara edhe tekstet në fjalë, per të cilat pala greke pretendon se kishin hartën e “Shqipërisë së Madhe”.
Edhe Serbia ndaloi vetëm pak kohë më parë disa libra shqip që do tu dërgoheshin fëmijëve shqiptarë nga Kosova në Preshevë me të njëjtin motivacion. Këto libra edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë në depot e doganës serbe dhe për to aktualisht askush nuk interesohet.















