Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu në një konferencë për media së bashku me avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashi, tha se dy ditë pas vdekjes së Astritit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, e ka angazhuar një prokuror shtesë për t’i përshpejtuar hetimet, prokurorin Metush Biraj. Sipas deputetes Haxhiu në kohën kur Sylë Hoxha ishte ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit dorë të djathtë e kishte prokurorin Metush Biraj.
Kurse, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, tha se gjatë obduksionit të Astrit Deharit, megjithëse ishin lejuar të marrin pjesë përfaqësues të familjes, ku ishin përzgjedhur mjekët Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj shqiptar nga Anglia, të njëjtëve nuk u janë dhënë provat nga Mjekësia Ligjore.
Gashi ka shtuar se ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë pranuar që këto prova t’i jepen mjekëve të familjes, mirëpo një gjë të tillë sipas Gashit nuk e ka pranuar prokurori Metush Biraj.
Astrit Dehari ka ndërruar jetë 13 ditë më parë gatë kohës sa ishte në paraburgim në burgun e Prizrenit, mirëpo deri më tani ende nuk është bërë e ditur se si ka vdekur Astriti e as çka ia ka shkaktuar vdekjen e tij.
Vetëvendosje dhe familja Dehari po i kontestojnë hetimet duke thënë se nuk u besojnë këtyre institucioneve.





















