Në komunikimet që Muhaxheri, Haqifi dhe disa persona të tjerë në Kosovë kanë mbajtur nëpërmjet “Skype”, është biseduar se duhet patjetër të sulmohet, pasi kështu ishte vullneti i profetit.
Muhaxheri dhe Haqifi, në bisedat e kryera mësohet të kenë pohuar se shteti i kalifatit, e ka miratuar këtë sulm dhe se sapo të kryhej, do merrte përsipër autorësinë e këtij akti, që siç e quanin ata, ishte i devotshëm.
Ndër të tjera, Muhaxheri dhe Haqifi, nëpërmjet urdhrave të tyre, që transmetoheshin tek celula e tyre në Kosovë dhe më pas kjo e fundit, ia transmetonte imamit të vetëshpallur Xhezair Fishti, kërkon me insistim organizimi i një sulmi me armë në burgun, ku qëndrojnë 9 personat e arrestuar dy vite më parë nga prokuroria e Krimeve të Rënda, mes të cilëve dhe dy imamët e vetëshpallur Genci Balla dhe Bujar Hysi.
Të dyja këto sulme, duhej t’i kryenin dy celula, ajo kosovare dhe ajo shqiptare, njerëzit e të cilave duhet të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, fillimisht për të sulmuar izraelitët.
Në këto takime mes dy celulave, shqiptarët kishin zgjedhur berberin Ergys Faslija, mjekun Bekim Protopapa, Medat Hasani dhe imamin e vetëshpallur të një xhamije në Dibër, Xhezair Fishti.
Ky i fundit, ka qënë dhe personi që hynte dhe dilte në Kosovë, me argumentin e mbajtjes së ligjëratave në xhami dhe organizimeve fetare, Fishti, merrte urdhrat në Kosovë që vinin nga Muhaxheri e Haqifi, dhe më pas i transportonte këto urdhra tek celula e tyre në Shkodër.
Në bisedat e përgjuara, mes tyre SHISH dhe Prokuroria kanë konstatuar se anëtarët e dy grupeve shfaqin pakënaqësi ndaj sistemit, pakënaqësi ndaj dënimeve të disa imamëve në Kosovë dhe Shqipëri, madje u bëhet thirrje dhe lutje fetare që këto burgje të sulmohet patjetër, nëpërmjet hakmarrjes së tyre.
Gjithashtu në bisedat e përgjuara, kërkohet hakmarrje edhe për gjyqtarët që kanë dhënë këto vendime. I gjithë materiali referues i nisjes së hetimeve dhe arrestimi në Shqipëri i 4 personave dhe Kosovë të 9 të tjerëve e 3 personave në Maqedoni, ka ardhur nga shërbimet inteligjente partnere, të cilat kanë fiksuar biseda për kryerje të akteve terroriste.
Për këto dyshime, është bërë edhe ndërhyrja për arrestimin e tyre për të evituar çdo incident të mundshëm si për lumturimin e 38 martirëve katolikë në meshën e Shkodrës ashtu edhe para dhe gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, që tashmë do të zhvillohet në Elbasan.






















