Sipas një komunikate të MBPZHR-së, ministri Krasniqi e njoftoi shefin Brusa se objektivat dhe prioritetet e ministrisë për vitin e ardhshëm janë që të rritet prodhimtaria në vend dhe të arrihen standardet evropiane të cilësisë në ushqim.
“Krasniqi po ashtu ka falënderuar shefin e zyrës së KE-së në Kosovë për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, veçanërisht në sektorin e agropërpunimit”.
“Ministri theksoi se MBPZHR-ja është e gatshme që edhe në të ardhmen të bashkëpunojë me KE-në për realizimin e shumë projekteve tjera në fushën e bujqësisë. Ministri Krasniqi vlerësoi faktin që në kuadër të fondeve të IPA 2, bujqësia është nder prioritetet kryesore”, thuhet në komunikatë.
Nga ana tjetër, shefi i Operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, vlerësoi zhvillimet e përgjithshme në bujqësi dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Komisionit Evropian për të përkrahur edhe më tej zhvillimin bujqësor të vendit.























