“Kjo rrugë është një investim i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej 1,050,00.00 eurosh, me një gjerësi prej 6 metrash, trotuar dhe me gjatësi rreth 6 kilometrash. Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në këtë anë”, tha ndër të tjera ministri Zharku.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja falënderoi ministrin Zharku për investimet që po bënë Ministria e Infrastrukturës në këtë rajon dhe uroi banorët e kësaj ane për rrugën e re.
“Është një moment i veҫantë për qytetarët e këtyre dy komunave. Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë nevojë shumë e madhe për banorët e kësaj ane, sepse kjo rrugë ka qenë shumë e dëmtuar dhe ndërtimi i saj të lehtësojë shumë jetën banorëve”, tha kryetari Muja.
Ndërtimi i rrugës rajonale Piranë – Mamushë do të mundësojë qarkullimin më të mirë të banorëve të komunave të Prizrenit, Mamushës dhe Suharekës.
Po ashtu, vazhdimi i ndërtimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa vlera e saj është në vlerën 751,693.89 euro, me një gjatësi 8.6 kilometrash.
Me këtë rast ministri Zharku theksoi: “Kjo rrugë ka rëndësi të madhe për shkak se do të lehtësojë dhe shkurtojë qarkullimin e banorëve të kësaj ane. Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në komunën e Prizrenit dhe Dragashit, jemi në hartim e sipër të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm dhe së bashku do të përmirësojmë infrastrukturën e këtyre dy komunave”.
Ndërtimi i kësaj rruge ka një rëndësi të veçantë, sepse do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave tjera të Opojës, duke shkurtuar distancën në gjatësi afër 20 kilometrash dhe shpenzimet e udhëtimit.
Projektet e tjera që do të financohen nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Prizrenit janë: Lidhja e Zonës Industriale me autostradën në hyrje të Prizrenit dhe realizimi i projekteve të tjera infrastrukturore në komunën e Prizrenit.






















