Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit ka thënë për “Zërin” se ftesa e shefit të Qeverisë për takim me liderët opozitarë është publike dhe se do të caktohet data e takimit në momentin që ka indikacione për gatishmëri nga opozita.
“Ftesa e kryeministrit është publike, prandaj ne presim për ndonjë indikacion publik të gatishmërisë për takim. Deri më tani nuk kemi pasur indikacione të tilla. Në momentin që do të kemi ndonjë indikacion ne do të caktojmë edhe datën e takimit”, ka deklaruar Gecaj.
Në anën tjetër, koordinatorja e qendrave në Lëvizjen “Vetëvendosje”, Teutë Rrusta, ka thënë se takimi në mes kryeministrit, Isa Mustafa dhe liderëve opozitarë ka kohë që përflitet, por se për këtë subjekt politik nuk përbën lajm me rëndësi përderisa ekzekutivi insiston që ta kthejë demarkacionin në versionin aktual.























