Kjo vizitë është bërë me qëllim të njohjes me çështjen e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.
Ministrja Hoxha përkrah angazhimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, si dhe Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Policinë e Republikës së Kosovës, Prokurorinë dhe Gjykatat, në fushën e Sekuestrimit dhe të Konfiskimit, duke theksuar se është e nevojshme që të bëhet shitja e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar që të mos shkaktohen humbje shtesë edhe nga zhvlerësimi i asaj pasurie, thuhet në një njoftim të MD-së.
“Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë”, theksoi ministrja Hoxha duke vënë në pah se shitja e pasurive, ndikon në zvogëlimin e shpenzimeve për administrim që drejtpërdrejt nënkupton kursimin e arkës së shtetit”.
“Vetëm sekuestrimi i pasurisë nga Gjykata nuk është i mjaftueshëm, por në këtë proces, duhet që konform dispozitave ligjore në fuqi, të nxirren vendime, të cilat e lejojnë shitjen në fazën e sekuestrimit. Nuk do të lejojmë shpenzimin e buxhetit të shtetit për pronën e konfiskuar”, theksoi ministrja Hoxha, shkruhet në njoftim.
Vlera e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, të pranuar sipas vendimeve gjyqësore është 34,441,645,40 euro.






















