Mesfushori 16 vjeç, i cili u largua nga Kosova për t’i shpëtuar spastrimit etnik serb, ka marrë thirrjen e tij të parë nga kombëtarja e Bunjakit: Mendova se ishte një shaka
Kush është fëmija-talent i Barcelonës i grumbulluar për eliminatoret e Botërorit me Kosovën? Labinot Kabashi është një mesfushor 16-vjeçar i krahasuar me Andres Injestën. I larguar nga Kosova vetëm 2 vjeç për të mos rënë viktimë e luftës dhe e spastrimit etnik, tani është nja nga talentet më premtuese të “kanterës blaugrana”. Dhe vendi i tij beson tek ai për të ëndërruar një kualifikim të mundshëm në “Rusi 2018”.
Labinot Kabashi ka lindur në 28 shkurt të vitit 2000, në një territor që dikur i takonte Serbisë dhe pas disa vjetësh, në 2008-ën për saktësi, iu kthye Kosovës, vendit që tani ka kombësinë dhe që e ka thirrur për t’u përfaqësuar.
Dy vjet pas lindjes, Kabashi u detyrua të largohej nga toka ku lindi për t’i shpëtuar luftës dhe spastrimit etnik të bërë nga forcat paraushtarake serbe kundër kujtdo që ishte me origjinë shqiptare.
Jeta e re e Kabashit rifilloi në Spanjë, ku ndërkohë u bë një futbollist dhe militon në skuadrën B të të rinjve të një prej klubeve më të mëdhenj dhe tërheqës të botës: Barcelona. Por rrugëtimi i tij futbollistik ishte më se i thjeshtë. Kosova në të vërtetë është akoma një vend që nuk njihet nga Spanja dhe për këtë djaloshi është refuzuar nga CE Manresa, por jo nga një tjetër skuadër e të njëjtit qytet katalanas, Gimnastic Manresia, klub, ku filloi karriera e artë e Pep Guardiolës, më shumë se 40 vjet më parë. Pastaj në vitin 2010, zbuluesi i talenteve Albert Benaiges, e dërgoi Labinotin në “La Masia”, struktura e famshme e formacionit të të rinjve të Barcelonës. Progresi vazhdon, pavarësisht nga një ’stop’ i ardhur nga FIFA në vitin 2014, pastaj i kaluar, sepse familja Kabashi, arriti të dëshmojë që jetonte në Spanjë para se ai të fillonte të luante futboll.
Kush e ka parë të luajë në “La Masia”, siguron që talenti kosovar ka të njëjtin talent si të Injestës. Krahasim i rëndë, por që mjafton për të kuptuar potencialin e mesfushorit që ka fituar edhe grumbullimin me kombëtaren e tij për të luajtur kundër Kroacisë në fazën e eliminatoreve të Botërorit.
Mes të tjerash, me këtë grumbullim, Kabashi humb përfundimisht mundësinë për të luajtur me kombëtaren e Finlandës, vendi i origjinës së mamasë së tij, ose Spanjën, vendi “i adoptimit”. Një “po” për Kosovën, është motivuar nga një ndjenjë përkatësie: “Kur erdhi thirrja, mendova se ishte një shaka dhe kur e kuptova që nuk ishte, u lumturova shumë. Jam shumë krenar që mund të luaj për këtë komb”, – ka thënë 16-vjeçari pas grumbullimit të tij të parë.
Kombëtarja kosovare e futbollit, është akoma në kërkim të identitetit të saj, pasi ka zhvilluar ndeshjen e parë në 2008-ën, pak muaj pas marrjes së pavarësisë nga Serbia, kundër Ishujve Faroe. Vetëm majin e shkuar, Kosova u bë pjesë e FIFA-s, pavarësisht nga protestat e Beogradit dhe mund të marrë pjesë në fazën kualifikuese për Botërorin Rusi 2018. Mbetet për t’u kuptuar se cilët futbollistë janë të përshtatshëm akoma për këtë kombëtare: ish-interisti Shaqiri për shembull, ka lindur në territorin kosovar, por luan me kombëtaren zvicerane. FIFA, i ka dhënë ndërkohë një leje speciale të gjithë atyre futbollistëve, të cilët edhe pse kanë luajtur për kombëtare të tjera, nëse dëshirojnë, mund të jenë pjesë e seleksionit të trajnerit Bunjaki. Për këtë, Federata Kosovare e Futbollit, është duke kërkuar talente me origjinë kosovare.
Dhe në Spanjë, në “La Masia” kanë gjetur një: Labinot Kabashin, i lumtur dhe krenar që ka gjetur rrënjët e tij.
E.ABULE























